Jankullovska: Nevojitet ndihmë nga fqinjët për zbardhjen e rastit

Ministria e punëve të brendshme e Maqedonisë njoftoi se hetimi për zbulimin e autorëve të vrasjes së pesëfishtë në afërsi të Shkupit, po zhvillohet me intensitet të lartë dhe se pista e hetimeve është përqëndruar në makinën e zbuluar ditë më parë, e që dyshohet të jetë përdorë nga autorët e krimit.
Ministrja Gordana Jankullovska tha se është kërkuar ndihmë edhe nga shtetet fqinje për zbardhjen e rastit, pasi është ndër veprat më të rënda, që është kryer prej se ekziston policia e Maqedonisë.
“Hetimi po shkon mirë. Ne e dimë se kush dhe kur e ka sjellur këtë makinë nga jashtë, por do të duhet kohë deri në përmbylljen e analizave, që janë në rrjedhë e sipër. Ne u kemi bërë thirrje të gjitha shteteve fqinje, që të ndihmojnë me çfarëdo informacione, që do t`i shërbenin hetimit të rastit”, deklaroi Jankullovska.
Duke folur për protestën e mbrëmshme në Shkup, ku sipas saj kanë marrë pjese rreth një mijë persona, Jankullovska tha se janë arrestuar 14 vetë të përfshirë në përleshjet me policinë, me ç`rast dy policë morën plagë të rënda, ndërsa u sulmuan edhe tre qytetarë të përkatësisë entike shqiptare.
Ndërkohë, për gjendjen e krijuar ka reaguar edhe Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë në opozitë, e cila kërkoi nga organet e rendit zbardhjen e shpejtë të rastit ndërsa nga qytetarët që të përmbahen nga aktet e dhunës.
“Ne e ndajmë dhembjen dhe revoltën e qytetarëve, por nuk guxojmë të lejojmë të krijohet atmosferë e ndarjeve ndëretnike, akuzave dhe dënimeve” deklaroi Andrej Petrov, sekretari i përgjithshëm i LSDM-së.