E Shtunë, 31 Tetor 2026

Japan Tobacco International hapi zyrën në Kosovë

Pozicionimi i Qeverisë është miratimi i ligjeve funksionale në harmoni me rregullat e BE-së, ka thënë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beçaj, duke komentuar projektligjin për kontroll të duhanit. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti i kompanisë ndërkombëtare të duhanit ‘Japan Tobaco’, Christian Cring, u shpreh mirënjohës për diskutimet që po zhvillohen.

Kompania për prodhimin dhe tregtimin e duhanit ‘Japan Tobacco International’ (JTI) hapi sot zyrën në Kosovë. Në ceremoninë e hapjes, u prek çështja e projektligjit për kontroll të duhanit, nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beçaj.

“Pozicionimi i Qeverisë së Kosovës është të miratojë ligje funksionale në harmoni me rregullat e BE-së. Për ne është me interes shëndeti publik, por njëkohësisht edhe funksionimi i ligjeve në harmoni me BE-në”, tha ministri Beçaj.

Ai u shprej se janë të interesuar të mos ketë evazion fiskal dhe të mos ketë favorizim të ndonjë kompanie. Ndërsa, përfaqësuesi i kompanisë japoneze, Christian Cring, u shpreh mirënjohës për diskutimet rreth projektligjit.

“Si një investitor u jemi mirënjohës autoriteteve vendase që kanë diskutuar hapur shqetësimet që ne kemi në lidhje me projektligjin e ri mbi kontrollin e duhanit. Shpresojmë se për ligjin do të zbatohen modelet efektive të BE-së”, tha Cring.

Ministri Beçaj paralajmëroi se shumë shpejt do të organizohet një takim me komunitetin e biznesit për t’i diskutuar në hollësi shqetësimet e biznesit për këtë projektligj./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›