Japonezët ndihmojnë Filarmoninë dhe Operën
Buxheti prej 180,000 eurosh për Filarmoninë e Kosovës, që javën e kaluar kishte ndarë Ministria e Kulturës, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, deklaroi se ishte i pritshëm, duke u bazuar në bisedimet që ishin bërë me përfaqësuesit e Ministrisë.
Megjithëse, sipas tij, ky buxhet do t’i reduktojë shumë aktivitete të Filarmonisë së Kosovës.
Mirëpo, përkundër këtyre pakënaqësive të pritura, duket se për përfaqësuesit e Filarmonisë së Kosovës së shpejti do të ndodh edhe diçka e papritur. Kjo, për arsye se këtij institucioni do t’i ndihmojë Qeveria Japoneze, e cila do t’i japë Filarmonisë së Kosovë instrumente me një vlerë prej 350,000 eurosh.
Përkundër gjithë atyre fatkeqësive natyrore që e goditën vendin e tyre, Qeverisë së Japonisë i ra ndërmend që ta ndihmojë Filarmoninë e Kosovës me instrumente, të cilat për këtë të fundit konsiderohet të jenë tejet të rëndësishme.
Drejtori i Operës dhe Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, shprehet i befasuar në njëfarë mënyre me ndihmën që do t’i japë Qeveria e Japonisë Filarmonisë dhe Operës.
“Ky është një projekt që kishte filluar para dy-tre viteve , por që pritet të finalizohet së shpejti”, thotë ai. Jashari po ashtu sqaron se e gjithë kjo ndihmë është si rezultat i angazhimit të dirigjentit të njohur japonez, Toshio Janagisava.
Megjithëse, para finalizimit të ndihmës Kosovën, dhe Filarmoninë e Kosovës në veçanti, pritet ta vizitojë një delegacion japonez, në mënyrë që të njoftohet nga afër me punën dhe vështirësitë që ka ky institucion kulturor.