Japoni, rritet alarmi në Fukushima

Japonia rrit nivelin e alarmit në centralin nuklear të Fukushimas, duke e çuar atë nga 4 në 5, në një vlerësim prej 7 nivelesh. Lajmi bëhet i ditur nga AIEA, agjensia e OKB-së për energjinë nukleare. Kur ka kaluar një javë nga tërmeti dhe cunami dhe me një bilanc prej më shumë se 16 mijë të vdekurish e të zhdukurish, vijojnë tentativat për të ftohur reaktorët e centralit nuklear. Ndërkohë po punohet në sistemin elektrik në përpjekje për ta kthyer në funksional dhe për të përshpejtuar ftohjen, dhe nuk përjashtohet mundësia që të mbyllen reaktorët, ashtu siç ndodhi me Cernobilin në 1986. Sipas bilancit provizor, viktimat dhe të zhdukurit prekin shifrën 16.600 persona, ndër të cilët 6.405 konfirmohen si të vdekur dhe 10.259 janë të zhdukur. Të plagosur janë 2.409. bilanci provizor nuk përfshin 10 000 personat e zhdukur në qytetin bregdetar të Ishinomakit në prefekturën e Miagit. Ndërkaq satelitët që shfrytëzohen për përcaktimin e hartave në tokë, kanë mundur të zhvillojnë fotografi të Japonisë pas tërmetit dhe cunamit të fuqishëm që goditën vendin javën e kaluar. Në to, shihen qartë pasojat e tmerrshme nga shkatërrimet.
Fotografitë tregojnë se cunami ka asgjësuar vendbanime të tëre, ka shkatërruar aeroporte dhe tokë bujqësore, ka dëmtuar rrugët. Të premten u mbajt edhe një minutë heshtje në Japoni në kujtim të viktimave nga tërmeti i fortë që goditi një javë më parë dhe nxiti cunamin shkatërrimtar. Tërmeti i javës së kaluar dëmtoi katër nga gjashtë reaktorët në centralin bërthamor rreth 250 km në veri të Tokios. Incidenti bërthamor konsiderohet më i rrezikshmi pas katastrofës në Çernobil në vitin 1986.