E Diel, 1 Nëntor 2026

Japonia në prag të zgjedhjeve të përgjithshme

Kryeministri i Japonisë kaloi pa vështirësi fazën e zgjedhjeve për kryesinë e partisë së tij. Kjo nënkupton se ai do të vazhdojë të udhëheqë vendin deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Japoni. Por klima politike në Japoni po ndryshon.

Në një vend që ka pasur gjashtë kryeministra që nga viti 2006, kreu aktual i qeverisë ka qëndruar në post për një vit e gjysmë dhe ka arritur ta zgjasë mandatin e tij.

Një ndër drejtuesit e Partisë Demokratike të Japonisë, Minoru Yanagida, deklaroi në kongresin e partisë se kryeministri Yoshihiko Noda ka mundur me rezultat të qartë tre sfidues dhe do të vazhdojë të jetë kryetar i partisë.

Sfida kryesore për Noda si kryeministër i ekonomisë numër tre të botës do të vijë me zgjedhjet e përgjithshme që zhvillohen pas disa muajsh. Kryeministri dhe partia e tij do të ballafaqohen me partinë që ka qeverisur vendin për pjesën më të madhe të periudhës pas Luftës II Botërore.

Partia Liberal Demokrate, me pikëpamje konservatore, do të zgjedhë kandidatin e saj për kryeministër më 26 shtator. Ndër kandidatët e mundshëm janë ish-kryeministri Shinzo Abe, i cili dha papritur dorëheqjen tre ditë pas fillimit të sesionit të ri parlamentar në vitin 2007, duke përmendur arsye shëndetësore dhe stresin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›