Fushata e Romneyt publikoi tatimet

Dokumentet, të publikuara nga fushata e tij, tregojnë se ata paguan më shumë se 1,9 milionë dollarë tatime federale, që përbën 14,1 për qind të të ardhurave të tyre.
Kjo është një normë më e ulët se sa ajo që paguajnë shumë amerikanë. Por shumica e të ardhurave të çiftit Romney fitohen përmes investimeve, të cilat në SHBA tatohen në një shkallë më të ulët, se sa paga e punëtorëve.
Pak muaj më parë, Romney dhe bashkëshortja e tij bënë publike dokumentet e tatimeve të tyre për vitin 2010, sipas të cilave të ardhurat e çiftit për atë vit ishin 21,6 milionë dollarë. Dy vjet më parë, ata paguan rreth 3 milionë dollarë tatime.
Romney, një ish-sipërmarrës, është një nga kandidatët më të pasur në historinë e zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Publikimi i tatimeve të tij ka qenë shpesh objekt debatesh, ndërkohë që ai kërkon t’i marrë postin Presidentit demokrat, Barack Obama.