E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jashte Zones - Letër e hapur ministrit Genc Ruli

• Arian ÇANII nderuar zoti Ministër! Duke ju falënderuar paraprakisht për kohën që po më jepni duke lexuar këto radhë dëshiroj të ndaj me ju publikisht një shqetësim që vetëm ju mund të ma zgjidhni dhe që unë do t’ju isha mirënjohës pa fund. Historia ime është e thjeshtë dhe ka lidhje me kufizimin e energjisë elektrike aktualisht prej katër orësh që ju po aplikoni në Tiranë. Si gjithë banorët e këtij qyteti, edhe unë, z.Ministër, e kam vuajtur shumë errësirën e tejzgjatur. Vuajtja u bë kaq e madhe, saqë nuk më shkohej në shtëpi. Me laptopin tim të dashur, përpiqesha pa fund të gjeja kafene apo zyra me gjeneratorë të fuqishëm, ku energjia nuk mungonte, me qëllim vazhdimin pa ndërprerje të punëve të mia të përjavshme. Për t’i ardhur në ndihmë familjes, qirinjtë u shtuan pa fund në shtëpinë time, z.Ministër. Madje, ato u zëvendësuan shpejt me elektrikë dore të të gjitha llojeve, deri sa arrita në një zgjidhje më cilësore, te çakmaqet që bëjnë dritë. Por e gjitha kjo nuk mjaftoi që unë të qetësohesha z.Ministër. Madje, më lejoni që nëpërmjet këtyre radhëve, t’ju kërkoj ndjesë që ju kam bezdisur disa herë me telefonatat që ju kam bërë në fillimet e krizës së thellë. Eshtë e vërtetë që kam dashur edhe unë të ndjehem i privilegjuar, duke ju kërkuar në atë kohë më pak kufizime në pallatin ku banoj së bashku me 40 komshinjtë e mi. Ju keni qenë shumë korrekt me mua z.Ministër dhe për hir të së vërtetës, më jeni përgjigjur gjithmonë, përveç ndonjë rasti kur keni qenë në mbledhjet tuaja të emer-gjencës. Nuk them se keni arritur dot të më favorizoni, pasi gjendja është e nderë, por e di që sikur të kishit pasur mundësi, do ta bënit pa u menduar dy herë. Jua njoh zemrën z. Ministër dhe e di që do ta bënit vetëm për hir të miqësisë së vjetër që kemi bashkë. Dhe pikërisht në emër të kësaj miqësie, unë ju siguroj z.Ministër se jo vetëm që nuk më ka mbetur hatri që nuk më mbajtët me hatër atëherë, por përkundrazi, më duhet sot, nëpërmjet kësaj letre të hapur, t’ju falënderoj sinqerisht, pasi më keni bërë të njoh më shumë dhe më mirë veten time, duke zbuluar te vetja një dimension të ri cinizmi të paracionalizuar deri më sot. Po, z.Ministër. Nëpërmjet këtij raporti të vështirë që pata me errësirën dhe pas gjithë përpjekjeve që bëra për t’i shpëtuar asaj nëpërmjet jush, arrita të zbuloj disa anë të errëta të miat që nuk i njihja më parë. Kënaqësinë dhe eksiktimin e paparë që unë kam aktualisht kur të tjerët janë në errësirë dhe unë në dritë. Po, z.ministër. Pasi mblodha veten dhe bleva një invertitor që më shpëtoi nga errësira dhe më mundëson të paktën 8 orë energji në ditë, sot mund t’ju informoj dhe siguroj se errësira nuk është më pjesë e jetës sime. Shpëtova z.Ministër. Shpëtova…Shpëtova, por jo plotësisht. Jo plotësisht z.Ministër, pasi tashmë për mua, ekuacioni është përmbysur. Këtu qëndron dhe thelbi i kësaj letre të hapur që po ju dërgoj sot nëpërmjet gazetës “Panorama”. Nuk jam sërish i kënaqur z.Ministër dhe për këtë ju kërkoj të më ndihmoni sërish. Ju kërkoj të kundërtën e asaj që ju kërkoja disa muaj më parë. Atëherë prisja që ju të më reduktonit orët e errësirës, sot ju lutem bëni diçka që të shtoni orët e territ. Të paktën në lagjen time. Invertitori që tashmë kam instaluar në ballkonin tim, jo vetëm më ka ndryshuar jetën, por më bën realisht të ndjehem i veçantë dhe ndryshe nga gjithë pjesa e tjetër e banorëve të pallateve përreth, që për fatin tim të mirë, janë ende në errësirë. Po, z.Ministër. Ndjehem aq mirë kur unë kam drita dhe të tjerët nuk kanë. Por do t’ju isha realisht mirënjohës sikur të zgjasnit dhe nja dy orë më shumë terrin z.Ministër. Deri para pak javësh, errësira ishte 6 orë në ditë. Tani ajo zgjat vetëm 4 orë. Ndaj ju kërkoj sot publikisht që, duke u nisur nga interesa shumë më të mëdha kombëtare, siç janë ato të kursimit të Fierzës dhe përdorimit me kursim të energjisë nga popullata, të më rikthenit sa më shpejt kënaqësinë dhe shijen e banorit të veçantë në këtë qytet. Pra nga 4, bëjini sërish 6 orët e errësirës z.Ministër. Kështu do të më ndihmonit realisht të përjetoja plotësisht cinizmin dhe egon time në këtë qytet. Kështu do t’i mundësonit dhe invertitorit tim të dashur të tregonte fuqinë e tij të vërtetë. Më besoni: katër orë pa drita janë pak. Janë vërtet pak z.Ministër, që unë të ndjehem realisht i eksituar… Duke shpresuar se kërkesa ime modeste do të merret në konsideratë nga ana juaj, ju lutem pranoni z.Ministër t’ju shpreh vlerësimet dhe konsideratën time më të lartë për ju dhe punën tuaj, sa të vështirë, aq edhe fisnike… Me respekt, i juaji përherë Arian Çani…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›