E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Telefonatat tona me vrasësin në arrati”

• Të shoqëruar nga policia, nëna dhe vëllai i Dan Hutrës kanë udhëtuar nga Kalimashi i Kukësit në drejtim të Tiranës.Dashamir BiçakuAta janë marrë në pyetje në Komisariatin nr.2 të policisë së kryeqytetit rreth vrasjes së Dafina Havalajt, vajzës 22 vjeçe me të cilën bashkëjetonte Dan Hutra, i arratisur pas krimit që ndodhi fundjavën e kaluar. “Kemi folur dy herë në telefon me Danin, pasi ai kishte kryer vrasjen. Telefonatën e parë e bëri ai, na tha se kishte pasur një problem me Dafinën dhe se nuk ishte i sigurt nëse e kishte vrarë apo jo. Më pas, kur folëm për herë të dytë, pohoi se e kishte vrarë dhe ishte larguar nga shtëpia”, mësohet të jenë shprehur në policinë e Tiranës të afërmit e Dan Hutrës. Burimet zyrtare nga grupi i hetimit pohuan se kanë marrë deklarime me vlerë për hetimin nga nëna e vrasësit të arratisur, Milazime Hutra dhe nga Sadush Hutra, vëllai i ekzekutorit të vajzës me të cilën ishte fejuar. Dy dëshmitarët janë shoqëruar nga policia e Kukësit prej banesës së tyre në Kalimash deri në Tiranë. Gjatë rrëfimit të tyre në policinë e kryeqytetit, të afërmit e autorit të vrasjes janë shprehur se nuk prisnin të ndodhte krimi, pasi Dan Hutra dhe Dafina Havalaj kishin vendosur të jetonin së bashku. Gjurmimi për vrasësinMë shumë sesa marrja e deklarimeve që kanë të bëjnë me vrasjen, hetuesve të policisë duket se u ka interesuar të mësojnë diçka lidhur me vendqëndrimin e vrasësit të arratisur në mënyrë misterioze. Oficerët e policisë, disa herë kanë përsëritur pyetjet ndaj nënës dhe vëllait të Dan Hutrës, duke kërkuar të mësojnë vendqëndrimin e tij. “Kemi folur në telefon me të, na tha se po ikte nga shtëpia, por nuk tregoi asgjë më shumë. Nuk e dimë ku mund të ketë shkuar”, kanë thënë dëshmitarët gjatë rrëfimit para hetuesve të policisë së kryeqytetit. Mësohet se nëna dhe vëllai i Dan Hutrës kanë pohuar se sapo ai i kishte lajmëruar se kishte vrarë Dafina Havalajn, ata menjëherë kanë ikur në drejtim të Kukësit nga frika e hakmarrjes prej familjes së 22-vjeçares së ekzekutuar me thikë. Hetuesit e policisë gjithsesi kanë mësuar prej të afërmve të autorit të krimit emrat e disa personave të njohur të Dan Hutrës në Greqi, me të cilët ai ka pasur njohje gjatë kohës së emigracionit. Zhdukja pa gjurmë dhe dështimi i kërkimeve të policisë për arrestimin e tij, ka krijuar dyshime të forta se Dan Hutra kishte paramenduar vrasjen e të fejuarës së tij, madje edhe hollësitë e qëndrimit në arrati nga frika e hakmarrjes dhe policisë. Nëna e Dafina Havales ka dëshmuar për policinë, se vajza e saj ka pasur probleme të vazhdueshme me 26-vjeçarin, që në vitin 2003 është akuzuar se ka përdhunuar gruan e vëllait të tij, në atë kohë emigrant në Greqi. Dafina Havalaj humbi jetën të dielën e javës së kaluar në një shtëpi pranë Fushës së Aviacionit në Tiranë. Ajo kishte tetë muaj që bashkëjetonte me Dan Hutrën, autorin e krimit. Nëna e viktimës disa herë kishte kërkuar ndihmën e policisë pas kërcënimeve që Dafina kishte marrë nga Dan Hutra. Shkak i vrasjes mësohet se ka qenë vendimi i 22-vjeçares për t’u kthyer në familjen e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›