E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA i dhuron policisë dosjen me të dhënat e 10 mijë efektivave shqiptarë

• TIRANE - Prej ditës së djeshme, Policia Shqiptare do të ketë bazën e saj të të dhënave për punonjësit në të gjithë vendin. Sistemi i të dhënave është pjesërisht investim i Policisë dhe dhuratë e ambasadës amerikane në Tiranë.Ambasadori amerikan në Shqipëri, Xhon Uajters (John Withers), tha dje gjatë përurimit të projektit se, “Oficerët e policisë duhet të luajnë një rol integral në luftën kundër korrupsionit në vend”. Sipas tij, një ndihmë e rëndësishme është edhe ky sistem i ruajtjes së të dhënave për oficerët dhe efektivët e policisë. Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, projekti ka filluar prej katër vitesh të përpunohet nga specialistët përkatës. Vlera e përgjithshme e projektit kap shifrën e 144 mijë dollarëve. Pjesërisht, sistemi është përballuar në investim nga policia shqiptare, ndërsa pjesa tjetër është dhuratë e misionit të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së në Tiranë. Nëpërmjet këtij projekti, policia do të ketë mundësi të përqendrojë në një nivel qendror të dhënat e të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, të çdo roli, me status policor apo civil. Po kështu, sipas të dhënave, sistemi do të administrojë në mënyrë elektronike dosjet e çdo punonjësi policie, që nga shkollimi, trajnimet, duke dhënë mundësi për rifreskim të trajnimeve të përfituara nga çdo efektiv. Po kështu nëpërmjet këtij sistemi, çdo efektiv dhe çdo person në Policinë e Shtetit do të ketë një numër unik identifikimi, duke ndihmuar policinë në administrimin e personelit të saj. Në të pritet të hidhen edhe gjurmët e gishtërinjve të punonjësve të policisë, grupi i gjakut dhe të dhëna personale për raste emergjencash. Përurimi i sistemit është kryer dje pasdite në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku qenë të pranishëm, mes efektivëve të Policisë, kreu i dikasterit të Brendshëm, Nishani, kreu i Policisë Ahmet Prençi, ai i ICITAP-it, Darrel Hart etj. Prençi dhe Nishani kanë falënderuar amerikanët për ndihmën e dhënë për realizimin e këtij projekti të cilësuar si të rëndësishëm për policinë shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›