E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ajo ishte një ditë e madhe

• Mithat HavariSi sot 17 vjet më parë në 14 dhjetor 1990 u zhvillua në qytetin e Elbasanit demonstrata më madhe antikomuniste. Të gjitha ven-deve të bllokut komunist po u tundeshin themelet e pushtetit. Popujt nuk mund të duronin dot më regjimet e egra totalitare. Eshtë e kuptueshme që dhe diktatura më e egër në Evropën Juglindore, Shqipëria të mos bënte përjashtim. Qyteti i Kavajës do jepte i pari sinjalin, se dhe ky popull nuk ka vdekur, por jeton. Më 8 dhjetor studentët ngritën krye për mungesë kushtesh jetese, drita, ujë etj., por që pas këtyre mungesave ishte etja për ndryshim. Në datën 13 dhjetor, në Shkodër u zhvillua një demonstratë e fuqishme kundër regjimit dhe që u shtyp me represion nga forcat e errëta të diktaturës, dhe një ditë më pas më 14 dhjetor u zhvillua në Elbasan një nga demonstratat më të mëdha të asaj kohe, pasi në të morën pjesë të gjitha shtresat e shoqërisë, punëtorë, studentë, etj. Dua të kujtoj që demonstrata e 14 dhjetorit nuk kishte lidhje me PD-në. Kjo parti ishte ende në shpergejt e Partisë së Punës, për rrjedhojë nuk mund të menaxhonte atë demonstratë të fuqishme.Gazetari Blendi Fevziu, në librin e shkruar prej tij në kujtim të atyre ngjarjeve të mëdha kujton:Ish-funksionari i lartë i rinisë komuniste Lisien Bashkurti na tha: “Nuk kemi punë me ju studentët, por me armiqtë që janë futur mes jush”.Diktatura ishte inteligjente, ajo e kuptonte mirë kush ishin armiqtë e vërtetë të pushtetit të saj. Në asnjë mënyrë unë nuk dua të eklipsoj atë lëvizje, por demonstratat e Shkodrës dhe të Elbasanit e goditën rëndë diktaturën, tronditën themelet e saj, për një arsye të vetme se këto demonstrata i udhëhoqën kundërshtarët e betuar të regjimit komunist. Ndaj dhe dhuna e ushtruar ndaj këtyre të fundit me atë studentore kishin diferenca.14 dhjetori 1990 ishte i ftohtë me pak diell e re të përhimëta në horizont. Lajmi kishte marrë dhenë, se në atë ditë të ftohtë dhjetori, do të zhvillohej një demonstratë antiregjim. Atë ditë unë dhe shumë qytetarë të tjerë të Elbasanit e kishim ëndërruar, ajo shpesh fluturonte në fantazitë tona dhe u bë realitet, ishim në kohën dhe vendin e duhur. Sheshi para rrapit të motshëm të Bezistanit, ishte mbushur plot me demonstrues, kryesisht të rinj. Klasa punëtore e Kombinatit Metalurgjik ishte mbështetur tek muret e kalasë dhe bënin sehir. Diktatura kishte mpirë mendje njerëzore. Nuk kaloi shumë dhe shkëndija u dha, një korr i fuqishëm me thirrjet Liri-Demokraci tundi vendin. Demonstruesit si të dehur nga lumturia, se kishin prekur lirinë, përqafonin njëri-tjetrin si vëllezër, qanin e lotët e gëzimit të tyre thaheshin nën rrudhat e rreshkëta të faqeve të tyre. Policia qëndronte e heshtur dhe e çarmatosur, të pajisur vetëm me shkopinj gome. Arkitektët e diktaturës kishin parashikuar çdo gjë në detaje. Ata kishin sjellë dhe një karrocë me gurë natën, në mënyrë që rinia e shfrenuar nga urrejtja, të godiste forcat e rendit. Strategët e Sigurimit kishin caktuar dhe sahanlëpirësit e tyre për të djegur autobusët e mjeruar të punëtorëve. Me këto akte dhune që do të ndodhnin, ata do t’i thonin opinionit: këta janë demokratët që duan të djegin dhe shkatërrojnë vendin.Natyrisht ne e kuptuam lojën e ndyrë të tyre, por nuk mund të bënim asgjë. Dikush nga ne të rriturit, i mori megafonin nga dora shefit të policisë Vladmir Hysit për t’i tërhequr vëmendjen demonstruesve, për të mos goditur forcat e rendit me gurë, por shefi i djallëzuar në shërbim të misionit të tij, stakonte çelësin e megafonit dhe zëri nuk shkonte tek demonstruesit. Ani s’ka gjë ata kishin ushtruar dhunë 45 vjet mbi këtë popull, kështu e kanë revolucionet.Gjithë qyteti u ndez nga flakët e urrejtjes, mijëra të tjerë erdhën nga fshatrat përreth dhe rrjedhimisht numri i demonstruesve u rrit, nga bulevardi kryesor, tek Instituti e deri në lagjen Namazgja. Brohoritjet “Liri- Demokraci” e “Poshtë Diktatura”, përplaseshin në valë me njëra-tjetrën. Këto situata të papara e të padëgjuara ndonjëherë, dhanë kurajo tek çdo qytetar. Bumerangu kishte ndodhur, krerët e diktaturës për të  trembur demonstruesit nxorën tanket në qytet, nën urdhrat e komisarit politik Baki Shehu, sot deputet i PD-së i cili luftonte me mish e me shpirt si asnjëherë tjetër për të shtypur me zjarr e hekur kundërshtarët e tij politik. Por tanket e Bakiut u gjunjëzuan para djemve trima të Elbasanit. Strategjia e Mehmet Elezit, ish-sekretar i dytë i rrethit, Fatmir Bërdulla ish-kryetar i degës së brendshme, Mete Shyti një nga esesët më të rrezikshëm të asaj kohe, dështoi. Ata panë lemeri me sytë e tyre,  panë një popull që nuk nxirrte fjalë nga goja, por “plumba”. Kokoshi ishte katandisur një thelë. Ata u zbythën dhe u sistemuan tek Hotel “Skampa”, e që aty vëzhgonin situatën. Sahanlëpirësit e tyre qarkullonin në mes rinisë e i nxisnin që të kryenin akte vandale e që më pas të përligjnin arrestimet e tyre. Në orën 16.00 të asaj dite, demonstruesit dogjën librarinë me veprat e Enver Hoxhës. Ato vepra që sekretarët e partive nga uzinat deri tek spitalet konspektonin e jepnin ushqim politik masave te gjera. Misioni i madh i asaj dite u realizua, lajmi mori dhenë. Diktatura dha një montazh në stacionin e vetëm shtetëror, ku pasqyronte në mënyrë selektive ngjarjet e asaj dite. Pak kush u besoi mbroçkullave të tyre. Pak para mesnate, nën kryesinë e të palodhurit Mehmet Elezi, u përpiluan listat e arrestimeve. Diferencimet ata i kishin bërë, gjaku i tyre nuk do binte në pranga. Kjo gjë nuk u interesonte, se armiqësia shtrihej dhe mes vedit. Në top listë ishin armiqtë e skeduar, bijtë e reaksionarëve, kulakëve. Në orën 12.00 të natës duke u gdhirë data 15 dhjetor, junta ushtarake filloi operacionin. Makinat me trupa speciale të ardhura nga Tirana, lëviznin si gjarpërinj të zinj nëpër rrugica e mblidhnin djemtë e nënave për t’i masakruar. Sheshi në degën e brendshme ishte mbushur plot me demonstrues. Makineria e diktaturës shtypte pa mëshirë me dhunë të hekurt trupat e drobitur. Pistoletat elektrike ngjisheshin në trupat e tyre, e u drithëronin zemrat. Britma tmerri që dilnin nga kraharorët e demonstruesve zgjuan nga gjumi letargjik qytetin e lashtë. Elbasani ishte në shtetrrethim të plotë. Bisha komuniste po përpëlitej në agoni, ajo bëhej e pamëshirshme ndaj gjahut të vet, qoftë ky dhe një popull i tërë. Brenda pak ditëve u montuan gjyqet famëkeqe. Shërbëtorët e regjimit si Mete Shyti, Përparim Balla, etj., komprometuan dëshmitarë të rremë, kryesisht policë të modelit Lelo Dauti, kështu do të dënoheshin në mënyrë të paligjshme qindra demonstrues. Gjyqet me dyer të mbyllura drejtuar nga gjykatësi ushtarak, Artan Gjylbegu, dhanë dënime maksimale deri në 25 vjet burg.Por çdo tmerr ka një fund. Presioni ndërkombëtar detyroi qeverinë komuniste të hapte dyert e burgjeve të politikës. Në 22 mars 1992 diktatura dha shpirt.Demonstrata e 14 dhjetorit, qytetit të Elbasanit i jep nder. Si pjesëmarrës në atë ngjarje të madhe shpreh respekt të thellë për të gjithë ata qindra e mijëra antikomunistë që ishin gati të flijonin jetën e tyre për demokracinë. Mbas 17 vjetësh ndjehem i zhgënjyer, ëndrrat për një Shqipëri si Evropa janë shumë larg, tepër larg. Populli shqiptar jeton në varfëri ekstreme, me papunësi të madhe, pa drita, pa ujë dhe me rrugë të shkatërruara tërë baltë e pluhur. Depresioni i thellë shpirtëror gëlon në shpirtrat e tyre e ajo reflekton krimin brenda familjes qe ka marrë përmasa tronditëse. Turpi më i madh qëndron në faktin, se shumë ish-funksionarë të lartë të diktaturës, janë të instaluar në formacione politike dhe në instancat më të larta të administratës shtetërore. A mundet që me gjithë këto plagë të thella shoqërore bota e qytetëruar të na afrojë në familjen e saj? Për mua shpresat janë të pakta, unë e shoh realitetin në sy. Në këto 17 vjet tranzicioni të egër, politika e vjetër e së shkuarës i ka sjelle dëme të pallogaritshme Shqipërisë, duke i ulur imazhin në sytë e familjes së madhe Evropiane. Për arsyet e  përmendura më sipër, Shqipëria do afrohet në botën e qytetëruar atëherë dhe vetëm atëherë, kur të ketë shëruar plotësisht këto plagë të thella.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›