Jashtë bie borë dhe Varësja e rrobave, mirëpriten nga publiku
Aktorë dhe regjisorë në breza të ndryshëm vijnë në skenën teatrore. Ky alternim brezash sjell një atmosferë të veçantë tek publiku, i cili tashmë e konsideron këtë teatër një prej institucioneve ku ata mund të gjejnë argëtim, por dhe vlera të mëdha artistike. Tashmë këto dy shfaqje kanë ngjallur kureshtjen e publikut, i cili nuk ka munguar gjatë këtyre netëve në sallat e teatrit. Për regjisoren e re Najada Elmazi, vepra vjen ndryshe nga sa ajo është vënë më parë në skenën teatrore shqiptare. E veçanta e kësaj vepre është se ajo veç aspektit komik, ajo ka dhe atë tragjik. Në skenë do të jetë një atmosferë napolitane, e cila do të jetë e shoqëruar me këngë napolitane, pohon regjisorja Elmazi. Regjisori Guri Koço, vjen në skenën teatrore me veprën Varësja e rrobave, një dramë ku konflikti krijues në vepër është midis njeriut dhe rrethanave jetësore. Tragjikomedia Jashtë bie dëborë! nga Vicenzo Salemme bën fjalë për bashkëjetesën e detyruar të tre vëllezërve të cilët i ribashkon testamenti pas vdekjes së nënës së tyre, Enzo, Çiço, Stefano. Protagonisti kryesor Çiço, është një i sëmurë mendor. Vepra është përkthyer nga Hervin Çuli me regji të Najada Elmazit dhe do të ngjitet në skenë nën interpretimin e aktorëve Gentian Zenelaj, Ervin Bejleri, Alban Musa dhe Ledion Zoi. Sa i takon veprës tjetër Varësja e rrobavee shkruar nga Mario Alessando Paolelli, ajo vjen me muzikë nga Edi Hallulli dhe skenografi Lirim Lila. Në qendër të saj është një shtëpi e thjeshtë, e mobiluar thjeshtë, bëhet vendi i veprimit të katër vëllezërve: David, Xhulio, Mimo dhe Anko. Njëri prej tyre, pikërisht David, vuan nga sindroma e të qenit varëse rrobash dhe është kështu trashëgimtari i një ati që besonte se ishte nderësja e rrobave të lara. Ashtu si atin, dhe birin jeta i ka dënuar duke i sëmurur psiqikisht, i ka trembur me ashpërsinë dhe egërsinë e saj, u ka hequr mundësinë dhe dëshirën për të luftuar e fituar. Vëllai i dytë i pafuqishëm për tu përballur me realitetin është tërhequr dhe mbyllur në dhomë duke pirë gjithë ditën aq sa gjaku i është kthyer në etilik. Dhoma e tij është mbushur me shishe e tapa. I treti i papunë i rrethuar nga vëllezër depresive mundohet ti dalë mbanë jetës së provincës. Konflikti krijues në vepër është midis njeriut dhe rrethanave jetësore.
Karnavalet në Kamëz, festë e rinisë së shkollave të qytetit
Dje në Kamëz u organizuan karnavalet nga 12 shkolla të mesme dhe 9-vjeçare të këtij qyteti. Kanë qenë mbi 300 nxënës që kanë performuar në këtë aktivitet, ku nëpërmjet larmishmërisë së ngjyrave dhe figurave herë gazmore dhe herë komike e groteske, kanë startuar përpara Bashkisë së Kamzës përgjatë Bulevardit Blu, e për të përfunduar maratonën e tyre tek shkolla e mesme Ibrahim Rugova në Kamëz. Parada e grupeve është paraprirë nga Borbardha dhe Shtatë Xhuxhat, një butafori mjaft e gjetur kjo që u uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve në këto karnavale. Personazhe të tjera në këto karnavale kanë qenë si Hirushja, Kësulëkuqja, Kokoshka, Arabin, Murgesha, Zorro, Robin Hud, Motrat e Hirushes, Pitër Pan, Haladini etj. Nxënësit në këtë ditë të veçantë ishin veshur me veshje te personazheve që ata kanë dashur ti ngjasojnë. Kreativiteti i këtyre fëmijëve, dashuria e madhe për ti ngjasuar personazheve i bëri disa prej tyre që të sajojnë vet veshjet për personazhet që ata preferonin ti imitonin. Në këto karnavale nuk kanë munguar edhe fëmijët e veshur me veshje popullore, krahas atyre të veshur me personazhet e tyre të dashur. Më tej atmosfera është ndezur përmes parakalimit dhe interpretimit të grupeve pjesëmarrëse, ku secili spikati për veçantinë e fabulës dhe të koreografisë, koloritin e pasur të veshjeve, maskave e butaforive të shoqëruara këto nga një muzikë e gjetur, mjaft të fuqishme, duke bërë që të gjallëronte i gjithë sheshi, për ti kthyer karnavalet, në festën më të madhe të të gjithë vitit. Parakalimi është ndjekur nga mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të cilët janë bërë pjesë e Karnavaleve. Festa e Karnavaleve është mbështetur nga Bashkia Kamëz. I pranishëm në këto festime ka qenë edhe kryetari i Bashkisë së Kamzës z. Xhelal Mziu dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, të cilët ndoqën të gjithë paradën e karnavaleve nga afër dhe me mjaft interes.
Nisin xhirimet për filmin Heroi
Në Prishtinë kanë nisur xhirimet e filmit, Heroi, një projekt kinematografik, që trajton jetën e luftëtarëve të UÇK-së pas luftës. Skenari i këtij filmi ka qenë i përzgjedhur nga komisioni artistik dhe bordi i Qendrës Kinematografike të Kosovës. Roli kryesor Heroi (nga i cili edhe filmi mban titullin) i është besuar aktorit tonë të njohur në botë Arben Bajraktaraj. Aktorët tjerë janë Salahudin Bilali, Enver Petrovci, Luan Daka, Çun Lajçi, Selman Lokaj, si dhe aktorë të tjerë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria të cilët pritet të konfirmohen më vonë. Një ceremoni e veçantë u organizua me rastin e ditës së parë të xhirimit të këtij projekti filmik nga kompania ILIRIA FILM me regji të Luan Kryeziut. Kamera do të drejtohet nga Roger Simonsz, i njohur me punët e tij si drejtor fotografie dhe operator me aktorë të shumtë hollivudian, si Meryl Strip, Antonio Banderas, Jennifer Lopez, Jecky Chen, etj.