Specialistët e ekonomisë, shpjegojnë dy mënyrat për të shpëtuar Eurobondin
Shqipëria mund të marrë 400 milion eurot në formën e Eurobondin në afatin e parashikuar përmes dy mënyrave. E para, dy bankat ndërmjetëse mund ti japin Shqipërisë shumën e kërkuar borxh dhe më pas të sheshin Eurobondin shqiptar mbase dhe me vlera më
të larta për të realizuar edhe fitimet e tyre. E dyta është nisja e negociatave për ndryshimin dhe më pas miratimin e normave të reja të interesit. Të dyja zgjidhjet janë të diktuara nga tregjet ndërkombëtare, për të cilat hartuesit e draftit për Eurobondit nuk mund të kenë asnjë ndikim. Këto janë konkluzionet e specialistëve të ekonomisë, sipas të cilëve mësohet se kriza greke dhe emetimi i borxheve të madha ndaj saj rrit ndjeshëm interesat në tregjet ndërkombëtare.
Ekspertët
Ekspertët e ekonomisë mendojnë se ecuria e emetimit të Eurobondit të parë shqiptar është në dorë dy bankave JP Morgan dhe Deutsche Bank. Nga ana tjetër Ministrisë së Financave i mbetet të zgjedhë të keqen më të vogël në lidhje me metodën që do të zgjedhë për emetimin e tij. Edhe pse ecuria e tregjeve ndërkombëtare nuk mund të parashikohej, ministria duhet të emetojnë Eurobondin edhe për faktin se është hera e parë që Shqipëria del në tregjet ndërkombëtare dhe tërheqja nga ky treg luhat besueshmërinë për investitorët e huaj që pritet të investojnë në vendin tonë, theksojnë në arsyetimin e tyre ekspertët e ekonomisë. Sipas tyre emetimi i Eurobondit është domosdoshmëri, pasi qeveria ka planifikuar shpenzime të cilat do të mbulohen pikërisht me këtë borxh.
Projekti
Sipas projektit mësohet se përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat është në përputhje me përmbajtjen e dokumenteve të transaksionit të Eurobondit, ku përcaktohen që të gjitha të ardhurat nga transaksioni janë të çliruara nga çdo lloj takse apo tatimi. Sipas projektit mësohet se ky përcaktim është një praktikë standarde e mirëpërcaktuar dhe e domosdoshme për transaksionet financiare të ngjashme me këtë transaksion. Ky fakt përveçse ndihmon emetimin e Eurobondit tek investitorët ndërkombëtar nuk sjell asnjë dizanvantazh për palën shqiptare. Përjashtimi nga detyrimet fiskale vendoset nisur nga fakti se efekti i tij fiskal për ekonominë tonë është zero.
Mandatimi i bankave
Ministria e Financave ka mandatuar dy bankat që të udhëheqin eurobondin e parë shqiptar. Bankat JP Morgan dhe Deutsche Bank do të jenë dy institucionet financiare që do të mundojnë transaksionet e eurobondeve shqiptare në tregjet e kapitalit ndërkombëtar. Lajmi është bërë publik dje nga Ministria e Financave, ku pas një procesi vlerësimi që kaloi në dy faza nga 15 banka pretendente, u përzgjodhën këto dy banka për emetimin e eurobondit në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. Burimet zyrtare të Ministrisë së Financave bënë me dije dje se ky dikaster tashmë ka përfunduar procesin e vlerësimit të bankave që do të udhëheqin transaksionin e emetimit të eurobondit të parë shqiptar në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. Në fund të këtij procesi, Ministria e Financave ka mandatuar si bashkëdrejtues (Joint Lead-Managers) JP Morgan dhe Deutsche Bank, dy institucione financiare me reputacion superior në arenën ndërkombëtare, për performancën e tyre të pakrahasueshme në udhëheqjen me sukses të një numri të lartë transaksionesh eurobondesh në tregjet e kapitalit. Ministria gjithashtu i ka kërkuar Rafeissen Bank të suportojë transaksionin, në rolin e mbështetësit (Co-Lead Manager). Ministria e Financave ka sqaruar se interesimi i institucioneve ndërkombëtare për ketë proces ka qenë i jashtëzakonshëm. Një numër befasues bankash (15 të tilla) me shumë reputacion në tregjet e kapitaleve, paraqitën ofertat e tyre shumë agresive për të udhëhequr transaksionin. Rafeissen Bank të suportojë transaksionin, në rolin e mbështetësit (Co-Lead Manager), reagimi masiv i tregut ndaj kërkesës sonë reflekton dukshëm besimin e tregut ndërkombëtar në ekonominë tonë, dhe faktin që sistemi financiar shqiptar mbeti jashtë vorbullës së krizës financiare, theksuan dje burimet zyrtare të Ministrisë së Financave. Eurobondi me vlerë deri në 400 milionë euro, që qeveria shqiptare do të emetojë në tregun ndërkombëtar do të ketë një normë interesi deri në 7.5% dhe do të merret për një afat 5 vjeçar. Borxhi do të përdoret për shlyerjen e borxhit të marrë një vit më parë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, e cila ka një interes prej 11, 7 për qind.
Ligji për emetimin e Eurobondit
Emetimi i eurobondit është një proces kompleks, i cili kalon në disa faza të rëndësishme ndër të cilat faza fillestare e cila tashmë është mbyllur duke konstatuar në përzgjedhjen e dy bankave menaxhuese të këtij transaksioni. Këto banka janë JP Morgan dhe Deutsche Bank dy nga bankat më prestigjioze dhe më me shumë përvojë në tregjet e kapitalit dhe në tregjet financiare të këtij lloji. Këto banka menaxhojnë përmbushjen e të gjithë detyrimeve proceduriale dhe teknike të nevojshme për emetimin e instrumentit financiar eurobond dhe do të agregojnë interesin e investitorëve që do të jenë blerësit e këtij instrumenti. Ky proces ka një natyrë të ngjashme me atë të letrave me vlerë, të emetuara në vend sepse realizohet nëpërmjet një mekanizimi mundëson marrjen e ofertave nga një numër i madh investitorësh ndërkombëtarë. Këta të fundit do të bëjnë ofertat e tyre specifike me shumën e dëshiruar dhe norma e interesit do të përcaktohet ditën e emetimit. Ministria e financave do të vendosë se cilët do të jenë blerësit dhe do të përcaktojë shumën që do ti jepet çdo blerësi në raport me kërkesën e paraqitur.
BERZH: Shqipëria po vonon planin për Eurobondin
Duket se Shqipëria po vonon planet për të ofruar Eurobonde me matarimin tre deri në pesë vjet për shkak të alarmit të shkaktuar nga kriza greke. Parlamenti shqiptar miratoi rritjen e interesit të Eurobondeve nga 7,5 në 8 presje 5. Është shumë e vështirë të parashikosh dhe të thuash se cila do të jetë koha më e mire. Jemi në kohën kur ka luhatje të mëdha në treg. Ajo që është e rëndësishme për Shqipërinë është më shumë sesa shitja e eurobondeve është e rëndësishme të ruhet stabiliteti makroekonomik, mbajtja nën kontroll e inflacionit, menaxhimi i defiçitit fiskal. Këto janë parametrat e rëndësishëm ku duhet të përqendrohet qeveria. Ndërkohë çdo rritje kostoje në borxhin e qeverisë mund të ketë efekt në huatë për sektorin privat dhe kjo do ta bënte situatën pak të vështirë për bizneset private. Përsa i përket huave të BERZH-it ato janë të përcaktuara për një kohë të gjatë kështu që ne nuk reagojmë në të njëjtën mënyrë si bankat komerciale. Ne jemi investitorë aty për një periudhë afatgjatë. Kur bëhet fjalë për huatë e bizneseve private ne operojmë si bankat komerciale, pra marrim parasysh rreziqet për të vendosur çmimin. Por nuk mund të them për momentin sesi do të ndikojë situata që ju përmendët në normat e interest. Kjo do të varet nga projektet, në vlerën kredituese të klientit
Ornela Manjani