Java 21, Shkumbini – Tirana 1-0

(ALBANIA SPORT)- Shkumbini ia doli të mposhtë 1-0 Tiranën në Peqin në një ndeshje shumë nervoze, edhe pse luajti nga minuta e 50-të me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të sulmuesit 21-vjeçar Erjon Mustafaj.
Pas një pjesë të parë pa gola, të zhvilluar në një terren të rënduar, ishte Isidor Sekseri, që me një kryevepër në minutën e 72-të nxorri jashtë loje portierin e Tiranës, Blendi Nallbani, duke realizuar edhe golin e vetëm të takimit. Për 23-vjeçarin Sekseri ky ishte goli i tij i dytë sezonal.
Tirana humbet për të dytën javë rresht, pas asaj me Vllazninë (0-1) në javën e 20-të në “Qemal Stafa”. Kjo ishte humbja e 7-të sezonale e kampionëve në fuqi, të përfshirë në një krizë të gjithanshme drejtimi (në bankinë trajner zyrtar ishte Astrit Nallbani) dhe rezultatesh.
Shkumbini me fitoren e sotme, e 9-ta sezonale (të gjitha në shtëpi), u ngjit në kuotën e 30 pikëve, vetëm dy pikë larg Tiranës së vendit të tretë (32 pikë) e një pikë larg Laçit të vendit të katërt (31 pikë).
Për Shkumbinin kjo ishte fitorja e katërt në 41 ndeshje historike me Tiranën (30 fitore, 7 barazime). Në fazën e parë Tirana kishte fituar 2-0.
Shkumbini kështu mposht në Peqin të gjitha skuadrat e mëdha, Dinamon (4-0), Tiranën (1-0) e Vllazninë (2-1), duke u mundur vetëm nga Besa (1-2, java 2).
Kategoria Superiore
Shkumbini-Tirana 1-0
Shënues: Isidor Sekseri 72
Burimi: Albania-sport.comE Diele, 14 Shkurt 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili