E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sinani: Te Besa arrij 200 golat

I kënaqur që ka bërë zgjedhjen e duhur. Por, akoma më i kënaqur është me ambientin që e rrethon. Sulmuesi Vioresin Sinani është rekordmen aktual i golave të Superiores. (Ka shënuar 193 gola). Nuk ka nguruar që dje të bëjë premtimin se në ndeshjet e mbetura do të arrijë edhe 7 golat që i duhen për të festuar shifrën 200 të realizimit të tyre me fanelën verdhezi. “Jam i sigurtë se kjo do të ndodhë”, shpreh entuziazmin e tij sulmuesi. “Sepse në fushë e jashtë saj ndjehem shumë i vlerësuar si nga shtokët, stafi teknik e tifozeria e Besës. Kam një karrierë të gjatë e sigurisht më vjen mirë që ekipi ku luaj ka objektiva maksimale për këtë sezon. Në Kupë bëmë një hap të rëndësishëm me fitoren e pastër 2-0 ndaj Tiranës, por edhe ndaj Dinamos kam bindjen se padiskutim kemi motivimin që të bëjmë të njëjtën gjë. Shkojmë në transfertën me kryesuesit me moral të lartë për të kërkuar e marrë maksimumin e mundshëm. Deri në fund janë për t’u luajtur edhe shumë ndeshje ndaj duhet të luftojmë fort”.

-Përballë Dinamos. Një sfidë që është thënë se për Besën vlen sa i gjithë sezoni. Është vërtet e tillë?

-Sigurisht, duhet të guxojmë. Nuk kemi se çfarë të humbasim. Diferenca në pikë është ajo që është dhe nëse ne fitojmë, kampionati mendoj se mund të quhet sërish i hapur, përndryshe…

-Çfarë mund të ndodhë?

-Asgjë e jashtëzakonshme, veçse lufta për titullin do të ketë vetëm një emër e do të humbasë mjaft rivaliteti për të cilin ka nevojë edhe vet Dinamo.

-Deri tani keni shënuar një gol të vetëm në Fier në transfertën e fundit të fituar nga Besa 2-0…

-Përpara se të flas për golat e mi, më duhet të them se kam gjetur te Besa një lojtar klasi në sulm si Daniel Xhafa, forma e të cilit ndeshje pas ndeshje duket gjithnjë e më impresionuese. Me të në majën e sulmit kavajas mund të them se golin po e gjejmë me “kodin” më të mirë të mundshëm.

-Ndeshja e fundit e mesjavës me Tiranën në Kupë ishte konfirmimi i këtij integrimi mes jush. Çfarë mund të presim nga kjo dyshe në të ardhmen?

-Para kësaj ndeshje mund të veçoj transfertën e fituar në Fier me rezultatin 2-0. Pastaj mos harroni, kur vendosa që të vija te Besa, një nga shkaqet ishte edhe “ortaku” që do të kisha përkrah si partner. Mos harrojmë se edhe Daniel Xhafa është një futbollist që ka spikatur mjaft në shënimin e golave në të gjitha skuadrat ku ka luajtur.

-Jeni afër kufirit të 200 golave në kampionat, aktualisht jeni në shifrën 193. A mendoni se do t’ia arrini brenda këtij sezoni?

-Duhen edhe shtatë, e kuptoj që nuk janë edhe aq shumë. Ndaj dhe shënojeni premtimin tim. Këtë shifër do ta rrumbullakos brenda këtij kampionati dhe këtë kënaqësi do të ma japë pikërisht skuadra e tanishme Besa, të cilën kam nisur ta dashuroj, madje fort.

-A mund të jepni një arsye më shumë për këtë?

-Janë shumë të tilla. E para që luftohet në të dy frontet, kampionat e Kupë me ambicie të forta. E dyta ka një grup tepër të konsoliduar dhe një organikë futbollistësh të formacionit e ato alternativa që përfaqësojnë përvoja të konsiderueshme e shumë interesante. E treta dhe shumë e rëndësishme është se ndjehet dora e autoritare e drejtuesve ndaj dhe funksionimi i të gjitha punëve me këtë që shoh e prek çdo ditë mendoj se shërben shumë për t’u quajtur Besa pjestar i së cilës jam dhe unë, një skuadër me disiplinë të fortë dhe kompetitive në shumë aspekte që përmenda e të tjera që ndoshta nuk duken dhe aq, por që në fakt funksionojnë mendoj në harmoni të plotën njëri me tjetrin.

-A e ka Besa “frikë” Dinamon nga këto pozita që tregon renditja?

-E di që në fazën e parë gjërat nga rezultati i ndeshjes direkte 0-1 nuk janë ndarë drejtë. Kështu që ballafaqimi direkt i së hënës në Tiranë mendoj se për të dy ekipet do të jetë “prova e së vërtetës” dhe nuk mendoj se do të ketë shumë influencë diferenca aktuale. Të paktën Besa do të hyjë në fushë duke mos e çuar nëpër mend se çfarë është bërë më parë, por se çfarë duhet bërë mirë tani dhe në gjithë ndeshjet e tjera të mbetura të këtij sezoni si për kampionatin, ashtu edhe për Kupën.

Intervistoi: Fatmir Efica
(Sport Ekspres)

Burimi: Albania-sport.comE Diele, 14 Shkurt 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›