E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 28 Superliga do luaje kete fundjave ndeshje mjaft te rendesishme

Një tjetër qerthull prej ferri për kryesuesit e kampionatit në javën e 28-të të Superligës. Pa sulmuesin kryesor dhe me një trajner që do të ndjejë fort në këtë ndeshje, Flamurtari udhëton nëpër rrugën fushore që të çon në Peqin, aty ku nesër e pret malorja që e ka emrin Shkumbin.

Mund të jetë një moment-kyç i kampionatit për vlonjatët, por edhe për Skënderbeun, pasi nëse kuqezinjtë marrin 3 pikët këtë herë bëjnë një hap tepër, tepër të rëndësishëm drejt fitores së titullit. Nëse nuk fitojnë, ata e dinë vetë se çfarë ndodh.

Daniel Xhafaj nuk mund të luajë, i pezulluar për dy ndeshje, ndërsa në stol do të jetë i ulur Gugash Magani, njeriu që e përjeton më keq se kushdo këtë përballje, si një peqinas 24 karatësh.

Rreziku për vlonjatet rritet se sepse pak besohet që Dinamo ta ndalë Skënderbeun, ndeshje që edhe kjo luhet të premten.

Tradita e këtij kampionati ka treguar se ngjyra blu nuk sjell asnjë problem për skuadrën korçare, as kur ishte në stol Muça dhe as tani kur është Duro. Nuk mund të thuhet se 3-pikëshi është në xhep, por nuk teprohet po të shprehemi se Skënderbeu është favorit për ndeshjen në “Qemal Stafa”.

Po të premten, Tirana pret Elbasanin dhe ja ku kemi kaluar nga tensioni në një klimë relaksi. Kualifikimi në finalen e kupës ishte një çlirim i madh për bardheblutë, ndërsa fitorja 4-0 ndaj Laçit u rriti bardhebluve respektin dhe vlerësimin për vetveten. Trajneri Krstiçeviç ndihet pak më i qetë dhe duket se ka krijuar edhe miqësi vendase, kur takohet me legjendën Agustin Kola, takim që përfundon me një përshëndetje tipike shqiptare me dorën në gjoks. Besohet se ndaj Elbasanit nuk do të ketë probleme dhe menjëherë do të mendohet për ndeshjen pasardhëse në Shkodër, një finale më vete për vendin e tretë.

Java e 28-të mbyllet shumë shpejt, që të shtunën, me tri ndeshjet e tjera, ku spikat fuqishëm Laçi-Vllaznia, një përballje nga e cila ndoshta mund të përfitojë edhe Tirana, nëse kjo del në barazim. Kastrioti-Bylis dhe Teuta Besa janë sfida mbijetesa, nga ato që po luhen e do të luhen rëndom në javët e mbetura të kampionatit. Imagjinojeni vetë: është vetëm një pikë që ndan 4 skuadra, me Bylisin e Kastriotin që kanë 30 dhe Teutën e Besën nga 29. të gjitha ndeshjet e kësaj jave luhen në orën 16:30.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›