E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java 28, Tirana me “këmbë” në Elbasan dhe kokë në Tiranë

Dash Frashëri
ASA (Albania Sport Agency)- Tirana udhëton në Elbasan me frikën për të mos humbur betejën në fushën e kampionit në fuqi, që njihet edhe si aleat i Vllaznisë që ka vetëm pesë më pak se bardheblutë, ndërkohë që Partizani synon te vendosë një rekord sezonal me një seri prej gjashtë fitoresh rresht në kampionat, kur të shtunën do të jetë përballë Apolonisë së vendit të fundit dhe me mungesa të rëndësishme në vijën sulmuese, takim që do të transmetohet direkt nga Stadiumi Kombëtar "Qemal Stafa" nga televizioni Vizion Plus (ora 15:00). ELBASANI (6) - TIRANA (1): Takimi më i rëndësishëm i javës së 28, është ai midis kampionit më fuqi, Elbasanit, tashmë në vendin e 6 dhe kryesueses së kampionatit dhe favoriti kryesor për titull, Tiranës. Bardheblutë, që mbërrijnë në "Ruzhdi Bizhuta" pas dy barazimeve (1-1) me skuadrat modeste të Kastriotit dhe Flamurtarit, do të kenë në formacion golashënuesin më të mirë të kampionatit, Vioresin Sinanin, duke synuar fitoren e 18 sezonale për të hedhur njëkohësisht edhe një hap më shumë drejt titullit të 23-të. Në ndeshjen e parë në Elbasan, që përkoi edhe me hapjen e sezonit dy ekipet u ndanë në barazim 2-2, ndërsa në fazën e dytë Tiranë fitoi me rezultatin 2-0. PARTIZANI (3) – APOLONIA (12): Partizani është i vetmi ekip që ka marrë pikë të plota në fazën e tretë. Në pesë takimet e para, Partizani ka shënuar 11 gola duke pësuar vetëm 2 të tillë. Trajneri Lika i ka ketë të gjithë lojtarët në dispozicion kundrejt një Apolonisë së Markos, që do të mbërrijë nga ana e saj me tre lojtarë të pezulluar: Shoshin, Sinanin dhe maqedonasin Jakimoviskin, por dhe sulmuesin Denis Mema, për shkak dëmtimi. Partizani fitoi takimin hapës të fazës së parë në kryeqytet me Apoloninë me rezultatin e ngushtë 3-2, ku anësori sulmues, Gjergji Muzaka realizoi dhe golin më të shpejtë të kampionateve shqiptare në vetëm 8 sekonda lojë. Apolonia e cila drejtohet nga trajneri i tretë sezonal, Andrea Marko, pas rumunit Silviu Dumitresku dhe fierakut Dhimitër Papuciu, humbi në fazën e dytë me të kuqtë e Likës me rezultatin 0-2. DINAMO (7)- VLLAZNIA (2): Vllaznia synon të përfitojë nga gjendja e rënduar psikologjike që ka përfshirë kampin "blu" teksa do të përpiqet të shfrytëzojë shansin e artë, për të fituar në "Selman Stërmasi" për të arritur fitoren e pestë radhazi dhe për të përfituar nga ndonjë hap fals i Tiranës kryesuese. Përballë shkodranëve të Mirel Josës do të paraqitet një Dinamo që kërkon me këmbëngulje për të frenuar serinë negative me tri humbje rresht në kampionat dhe për të përmirësuar sado pak imazhin e rënduar keq nga rezultatet dhe situatat që po përjeton klubi. Vllaznia fitoi ndeshjen e parë në Shkodër (3-0), por barazoi në Tiranë (0-0). BESA (5)- TEUTA (4): Dy ekipe fqinjë gjeografikisht, por dhe dy ekipe fqinjë në tabelën e renditjes, respektivisht Besa në të pestin dhe Teuta ne të katërtin, por me një diferencë të qartë +11 pikësh në të mirë të Teutës. Besa është e përqendruar totalisht në Kupën e Shqipërisë, ky synon së pari finalen, ndërkohë që Teuta, edhe ajo gjysmëfinaliste, kërkon të ruajë hapin e Vllaznisë dhe Partizanit në kampionat. KASTRIOTI (10)- LUFTËTARI (11): Një ndeshje kyce për të dy ekipet që luftojnë për mbijetesë. Favoritë kryesorë konsiderohen krutanët nisur dhe nga fakti se gjirokastritët kanë mundur të marrin vetëm dy barazime në transfertë në ndeshjet jashtë dhe plot 13 humbje. Dy takimet e para midis dy ekipeve prodhuan një fitore 2-0 të Luftëtarit në shtëpi dhe një trepikësh të fituar nga Kastrioti në Krujë (1-0). FLAMURTARI (10)- SHKUMBINI (11): Një sfidë e dy ekipeve që ndihen jo shumë të qetë gjashtë javë para përfundimit të sezonit. Flamurtari morri të shtunën e kaluar kundër Tiranës pikën e parë në fazën e tretë, ndërsa Shkumbini realizoi fitoren e katërt në pesë javët e fundit. Në ndeshjen e fundit të zhvilluar në Vlorë, dy ekipet u ndanë në paqe: 1-1, ndërkohë që Shkumbini fitoi në Peqin me rezultati 2-1. Kategoria Superiore Java 28 ELBASANI – TIRANA DINAMO – VLLAZNIA BESA – TEUTA PARTIZANI – APOLONIA FLAMURTARI - SHKUMBINI KASTRIOTI- LUFTËTARI RENDITJA: Tirana 57, Vllaznia 52, Partizani 51, Teuta 51, Besa 40, Elbasani 36, Dinamo 35, Flamurtari 29, Shkumbini 28, Kastrioti 26, Luftëtari 23, Apolonia 22. Kategoria e Parë Java 23 BESËLIDHJA-TURBINA POGRADECI-BILISHT SPORT SKËNDERBEU-TEPELENA ADA-TOMORI GRAMSHI-LUSHNJA LACI-SOPOTI RENDITJA: Skënderbeu 47, Besëlidhja 42, Turbina 42, Lushnja 39, Laci 31, Erzeni 29, Tepelena 25, Sopoti 22, Gramshi 22, Pogradeci 21, Bilisht Sport 20, Tomori 17, ADA 15. (Bilisht Sport është penalizuar me -3 pikë).

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›