E Diel, 1 Nëntor 2026

Java XIV Dinamo e pandalshme, Tirana hap fals me Gramozin

Autori i Lajmit: Redaksia
Tiranë - Tirana nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 kundër Gramozit, duke u dhënë praktikisht lamtumirën shanseve për titull kampion. Bardheblutë kanë mbetur 16 pikë larg kryesuesve të Dinamos, e cila triumfoi 3-1 në Durrës kundër Teutës. Java e 14-të e superligës shqiptare nisi të shtunën e 12 dhjetorit, me 3 ndeshjet e para, ndërkohë që sot do të luhen edhe 3 ndeshjet e tjera. Nga skuadrat e kreut, vetëm Tirana luante në shtëpi, ndërkohë që Dinamo, Besa dhe Apolonia kishin për të kaluar transferta të vështira. Konkretisht, Tirana priti në “Selman Stermasi“ Gramozin e Ersekës, në një ndeshje ku vlenin vetëm 3 pikët për bardheblutë. Por, edhe kolonjarët nuk do të vinin në kryeqytet për turizëm, por do të tentonin të mos dilnin pa pikë, pasi vetë pozicioni në renditje ua kërkon me pahir këtë gjë. Dhe ka ndodhur ajo, që pakkush e mendonte. Tirana nuk ka shkuar më larg se një barazim 1-1, duke i zhgënjyer të gjithë, jo vetëm tifozët e saj, por edhe tërë dashamirësit e një gare sportive me rivalitet. Ndeshja me kolonjarët mendohej si e lehtë për kampionët në fuqi, sidomos pasi ata kaluan në avantazh që në minutën e 12-të. Krosi i Gjergji Muzakës u prek me dorë nga një lojtar i Gramozit dhe arbitri akordoi një penallti, të cilën Muka e shndërroi në gol. Tirana më pas e ka ulur ritmin dhe 6 minuta nga fillimi i pjesës së dytë ishte Dos Santos ai që fitoi një 11-metërsh, pas një përplasjeje me Bicin. Sulmuesi brazilian e mori vetë goditjen përsipër, duke shënuar golin e barazimit. Tirana më pas ndryshoi ritmin e lojës, por deri në fund ishte e pamundur të gjente golin e fitores. Meritë për kolonjarët, që marrin një barazim historik ndaj bardhebluve, 24 herë kampionëve të vendit, në fushën e këtyre të fundit. Përfundimisht, skuadra e drejtuar nga Alban Tafaj i ka thënë lamtumirë titullit kampion për këtë edicion, edhe pse jo ende matematikisht, pasi diferenca me kreun, që mbahet nga Dinamo, është e madhe, plot 16 pikë. Pritej që, duke parë se rivalet e bardhebluve, Dinamo dhe Besa, luajnë në transfertë këtë javë, nuk do të ishte çudi që Tirana të rikuperonte diçka në renditje. Por ka qenë e kotë, sepse Dinamo nuk njeh kundërshtar në këtë kampionat. Ka luajtur në transfertë, me Teutën, por ka fituar pastër, 3-1, duke marshuar pa asnjë problem drejt titullit kampion, deri tani pa e ditur akoma se çfarë është shija e humbjes. Skuadra e Shkëlqim Muçës mori fitoren e 12-të në 14 javë kampionat, duke mundur 3-1 në Durrës Teutën. Kuli, Souza e Bakaj shënuan për skuadrën kryeqytetase, ndërsa përkohësisht shkurtoi diferencën Mile me penallti. Të shtunën, një tjetër kryesuese, e vendit të tretë, Apolonia e Fierit, luajti në transfertë, në Peqin, ndaj Shkumbinit vendas. Skualifikimi nga Kupa e Shqipërisë që në 1/16 finale, patjetër që do ta kishte rritur ngarkesën psikologjike te lojtarët fierakë, gjë që u vu re edhe në fushën e lojës, ku pati thuajse një skuadër në fushë, Shkumbini, që fitoi bindshëm edhe me rezultat, 3-0. Në këtë mënyrë, Apolonia detyrohet të këmbejë vendet me Tiranën, duke zbritur vetë në vendin e katërt, me 1 pikë më pak se bardheblutë, që vijnë të tretët, pas Besës. Sot, Besa e vendit të dytë do të luajë në transfertën e Laçit, pikërisht aty ku tri javë më parë u mund edhe Tirana, ndaj vështirësia për kavajasit është e një shkalle të lartë. Forma e mirë që po kalon javët e fundit skuadra kurbinase, me fitore jo vetëm në shtëpi, por edhe jashtë fushe, si herën e fundit në Ersekë, janë paralajmërime të qarta për Besën e Shpëtim Duros, se nuk do ta kenë aspak të lehtë. Madje, edhe barazimi, nëse i referohemi së shkuarës së ndeshjeve të luajtura në Laç në këtë kampionat, mund të jetë një rezultat i dëshirueshëm për kavajasit. Megjithatë, nuk ka dyshim, të dyja skuadrat do të kërkojnë maksimumin, pra fitoren, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ishin brenda objektivit. Në kryeqendrën e Veriut, në Shkodër, Vllaznia do të presë Kastriotin e Krujës. Kuqeblutë, pas një barazimi, të marrë fundjavën e shkuar në Fier, duket se i kanë “karikuar bateritë”, për të marrë fitore para tifozëve të vet. Në këtë synim kanë një pengesë, Kastriotin e Krujës, i cili ka demonstruar luhatje në këtë kampionat. Një derbi verior, mes dy skuadrave me traditë e histori të ndryshme, megjithatë fusha e lojës dhe aktualiteti duket se i përball në kushte të barabarta. Flamurtari i Vlorës, në një situatë shumë kritike, i fundit në renditje, i dalë edhe jashtë Kupës së Shqipërisë, do të luajë sot një nga shumë finale, në përpjekjet e tij për të mbijetuar. Sepse kështu kanë rrjedhur ngjarjet në kampin vlonjat. Një “lab” do të ketë synime të kundërta me Flamurtarin këtë javë. Trajneri i Skënderbeut, Gerti Haxhiu, do të tentojë ta zërë “mat” skuadrën e vendlindjes së tij, në emër të profesionalizmit, që e ka dërguar deri në juglindje, për të drejtuar skuadrën korçare. Një humbje e Flamurtarit do të ishte mjaft e rëndë, por edhe barazimi duket se nuk u bën punë kuqezinjve. Ndaj, 3 pikët, janë e vetmja rrugë për skuadrën e Gugash Maganit. Por dëshira është tjetër dhe mundësitë janë të tjera, ndaj jo pak gjëra janë edhe në dorën e Skënderbeut, një skuadër simpatike, që kohët e fundit ka treguar pathyeshmëri në prapavijë.

Ky lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›