E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilltarët demokratë të Bashkisë kërkojnë shkarkimin e Ramës

Autori i Lajmit: Redaksia
Anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës, në mbledhjen e radhës do të kërkojnë shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut Edi Rama për abuzime me lejet e ndërtimit. Kjo bëhet e ditur në një deklaratë për shtyp nga grupi partiak i PD-së në këtë Këshill. “Grupi i këshilltarëve demokratë do të kërkojë në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin tuaj nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Këshilli Bashkiak i Tiranës do të të shkarkojë ty për dëmet dhe krimet monstruoze ekonomike, dhe jo vetëm kaq, por do të kërkojë rivendosjen e normalitetit dhe vendimmarrjet e tua që kanë dëmtuar rëndë qytetin e Tiranës, siç është rasti i tokës dhënë besnikut tënd tek parku “Rinia” etj, etj”, - tha këshilltari Ferdinand Poni. Sipas tij, opinioni publik është njohur me fakte të pakundërshtueshme që vërtetojnë kapjen e Ramës nga kupola e krimit ekonomik. “Rama ndodhet në një pozitë të mjerueshme për shkak të krimit dhe shkatërrimit të Tiranës kur e tjetërsonte në favor të Besnik Sulës mbi 1300 m katror truall publik, rrugën publike të marrë me qira për llogari të z. Peza e grupit të tij, apo kur ndërtonte në binomin Rama-Delijorgji apo Delijorgji-Rama, një qytezë të tërë me mbi 50 pallate dhe tjetërsonte, nënshtronte dhe shkatërronte mbi 500.000 metra katrorë pjesë të territorit të Tiranës”, - tha Poni. Duke u ndalur te ky argument, Poni tha se “ky akt i shëmtuar tregon qartë se për Edvin Kristaq Ramën deputetët nuk janë për të mbrojtur interesat e qytetarëve në Kuvend, por për të mbrojtur dhe ruajtur interesat ekonomike dhe pasurinë kriminale të tij dhe të mafies ekonomike që ai kryeson, pra të Fidelëve, të Dulakëve, të Kokëdhive, të Besnikëve, Doshëve e Leskajve të tij”. Ai iu bëri thirrje thirrje deputetëve socialistë që të mos pranojnë shndërrimin e tyre në gardianë të interesave mafioze të Ramës dhe kupolës së tij, i themi Edvin Kristaq Ramës se nuk ka gardian që do të mund të shpëtojë nga darët e ligjit pallatet e tua të krimit. Në cilësinë e kryetarit të grupit të këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak, ai e akuzoi Ramën për nënshtrim ndaj interesave abuzive të mafies së ndërtimit. "Rama është inspirues i shkatërrimit urban të Tiranës, shkelje flagrante të ligjit, si dhe abuzime monstruoze me pronën publike dhe interesave të qytetarëve të kryeqytetit”, - tha ai. Këshilli Bashkiak i Bashkisë së Tiranës mblidhet si rregull jo më shumë se një herë në muaj. Ai numëron 55 anëtarë, 18 prej të cilëve i takojnë PD-së, 21 PS, 6 LSI-së, 2 PR-së, 1 PAD, 1 BLD, 1 LZHK, 1 PAA, 1 PBDNJ, 1 PDI, 1 PSD, 1 PDK.

Ky lajm është publikuar: 13/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›