E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët-Gruevskit: “Hiq dorë nga emri Maqedoni”

Autori i Lajmit: RedaksiaShkup – Partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës në Maqedoni paralajmërojnë partinë e kryeministrit Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, të ndryshojë qëndrimin për çështjen e emrit dhe të përparojë në rrugën drejt Evropës. Deputetja e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ermira Mehmeti, tha në një intervistë për BBC-së se, nëse qeveria e Maqedonisë nuk tërhiqet nga qëndrimet e saj "që stimulojnë antieuropianizëm", atëherë, ata do të rivlerësojnë qëndrimin e tyre. "Maqedonia nuk ka alternativa, nëse bllokohet procesi integrues", - tha zonja Mehmeti. - Nëse nuk tërhiqet qeveria nga politika aktuale që stimulon antieuropianizëm, që stimulon një formë animoziteti ndaj idesë së Evropës së bashkuar, atëherë nuk ka dilemë, nuk do mend, se partnerët në qeveri do të duhet të bëjnë një rivlerësim të pozicioneve, por edhe të qëndrimeve të tyre për sa i përket integrimit evropian", - tha ajo. "Kjo gjithsesi nuk do të bëhet nën presion të emocioneve apo të fjalorit të urrejtjes", - tha deputetja e BDI-së për BBC-në. Deklaratat e zonjës Mehmeti vijnë pas shfaqjes së një tensioni mes partisë kryesore qeverisëse VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së. Të martën, deputetja e partisë maqedonase në pushtet, Kosana Nikoliç-Mazneva, akuzoi dy koleget e saj të BDI-së, Teuta Arifi dhe Ermira Mehmeti, për atë që ajo e quan nxitje të urrejtjes ndëretnike. "Maqedonia e ka toleruar valën e urrejtjes që ka dalë nga pena e tyre", - tha Mazneva. "Ato letrën e përjetojnë si kallashnikov, kurse bojën si municion, me të cilat duhet të kositet gjithçka që është kombëtare dhe përparimtare, gjithçka që është maqedonase", - tha deputetja Mazneva. Reagimi i saj erdhi pasi dy deputetet shqiptare, publikisht, kanë kundërshtuar politikat e kryeministrit Gruevski. Deputetja dhe nënkryetarja e BDI-së, Teuta Arifi, shkruan opinionet e saj një herë në javë në një nga të përditshmet maqedonase. Në artikullin e saj të fundit ajo shkruan se shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër veç NATO-s dhe BE-së. "Nëse nuk përdoret mirë, periudha në vijim, atëherë në qeveri do të jetë e panevojshme pjesëmarrja e partnerit shqiptar, i cili nuk do të bëjë asnjë gjë në një qeveri euroskeptike dhe anti-NATO", - shkruante zonja Arifi. Deputetja Mehmeti ishte shprehur më herët kritike ndaj paralajmërimeve se në sheshin kryesor të Shkupit do të vendoset statuja e Aleksandrit të Madh, projekt që u la në heshtje në periudhën para se të merrej vendimi nga BE, nëse Maqedonia do të fillonte negociatat me BE-në për anëtarësim të plotë. Tani zyrtarë të VMRO-DPMNE-së sugjerojnë se do të vijohet me ngritjen e përmendores gjigante, veprim që konsiderohet si provokim për Greqinë, e cila historinë e antikitetit e konsideron si pjesë të kulturës së saj. Politika e jashtme e qeverisë së kryesuar nga VMRO-DPMNE-ja po shkakton tensione tek partneri shqiptar, BDI, thotë Jeton Shazivari, profesor në Universitetin e Evropës Juglindore. "Këto sjellje mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së ndërlidhen në dy aspekte. I pari është dështimi i politikës së jashtme të drejtuar nga VMRO-ja, sidomos pas samitit të BE-së ku Maqedonia ngeli pa datën e fillimit të negociatave gjë që reflektohet me tone negative në politikën e brendshme, dhe çështja e dytë, ka të bëjë me raportet mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së", - thotë zoti Shazivari. "Këto dy subjekte politike edhe pse qeverisin bashkë nuk arritën të vendosin një raport mirëbesimi, një raport të ndarjes së pushtetit mes vete", - thotë ai.

Maqedonia rrezikohet nga zgjedhjet e parakohshme

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka mohuar sërish dje informacionet në media se ka mundësi të ketë zgjedhje të parakohshme. Ai ka kritikuar partitë opozitare se nuk po ndihmojnë për ruajtjen e pozicioneve të shtetit, lidhur me çështjen e emrit kushtetues. “Nuk planifikojmë zgjedhje të parakohshme. Opozita jonë, praktikisht me punën e vet, i ndihmon Greqisë. E pranoj se kemi faj, por vetëm për shkak se nuk pranuam të depersonalizohemi si komb”, - theksoi Gruevski. Mediet maqedonase spekulojnë se e gjithë kjo situatë mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme nëse BDI-ja del nga qeveria.
Partitë e tjera shqiptare, Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re në opozitë, kanë paralajmëruar se nuk do të pranojnë të jenë pjesë e qeverisë Gruevski, që, sipas tyre, po çon vendin drejt paqartësive. Deri më tani asnjë përbërje e ekzekutivit në Maqedoni, që nga pavarësia e saj, nuk ka ndodhur që mos të ketë përfaqësues shqiptarë.

Ky lajm është publikuar: 17/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›