Juventus “turpërohet” në shtëpi nga Katania
Autori i Lajmit: RedaksiaTorino - Vazhdon të thellohet kriza e Juventusit. Bardhezinjtë janë mundur me rezultatin 1-2 në shtëpinë e tyre në ndeshjen e javës së 17 të Serisë A ndaj Katanias, duke rrezikuar seriozisht pankinën për trajnerin Ferrara. Siçilianët, të cilët mbajnë edhe vendin e fundit të klasifikimit kaluan në avantazh në minutën e 23 me anë të një penalltie të shndërruar në gol prej Martinez dhe megjithë përpjekjet e djemve të Ferraras rezultati nuk ndryshon në pjesën e parë. Me nisjen e pjesës së dytë Juventus këmbëngul dhe gjen barazimin në minutën e 66 të takimit me anë të boshnjakut Salihamixhiç, i cili shënoi pas një topi të marrë prej Diegos. Tre minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të takimit, Katania bën surprizën, shënon golin e dytë me anë të Hulio Izcos që i jep edhe fitoren e dytë në këtë sezon skuadrës së tij, duke e ngjitur atë në kuoten e 12 pikëve po aq sa edhe Siena. Ndërsa verdhekuqtë e Romës kanë arritur një fitore 2-0 përballë Parmës për tu barazuar me pikë, por falë golaverazhit kanë zënë vendin e katërt në tabelë. Nicolas Burdisso kaloi vendasit në epërsi (48), ndërsa me golin e shënuar në minutat shtesë (90+1), Matteo Brighi vulosi fitoren e kryeqytetasve. Me këtë fitore, Roma gjendet vetëm dy pikë prapa vendit të tretë, të cilin e mban Juventusi. Në ndeshjet e tjera te javës së 17, Livorno mund Sampdorian 3-1, Napoli mund Kievon 2-0 ndërsa Palermo fitoi ndaj Sienes 1-0. Ndërkohë për shkak të motit të keq ndeshjet, Bolonja-Atalanta, Fiorentina-Milan, Xhenoa-Bari dhe Udineze-Kaljari u shtynë.
Ky lajm është publikuar: 21/12/2009