PS: Vizat, Berisha tu kërkojë falje shqiptarëve
Autori i Lajmit: RedaksiaPartia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit Sali Berisha tu kërkojë falje shqiptarëve për mos-liberalizimin e vizave së bashku me vendet e tjera të Ballkanit. Në një reagim publik të bërë dje, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati pohoi se zgjerimi i hapësirës Shengen dhe me fqinjët tanë është sa inkurajues aq edhe trishtues për faktin se Shqipëria e ka nisur këtë proces që në vitin 2004. Sipas Bushatit është koha që Qeveria aktuale të nxjerrë mësime por dhe të merren përsipër përgjegjësitë e duhura në mënyrë që të plotësohen standardet e kërkuara për heqjen e vizave. Tre janë kushtet kryesore që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe ato janë siguria e kufijve, luftë kundër korrupsionit dhe pasaportat biometrike.
Deklarata
“Ka dy ditë që mediat evropiane po transmetojnë entuziazmin e maqedonasve, serbëve dhe malazezëve, të cilët përfituan në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri heqjen e regjimit të vizave me hapësirën Shengen. Dje, Komisioneri për Zgjerimin Olli Rehn, si rrallë herë në një ditë pushimi hapi, dyert e Komisionit Evropian për të mikpritur një delegacion serb duke i përgëzuar për arritjen e madhe. Ndonëse lajmi për përfshirjen e fqinjëve tanë në një regjim pa viza me hapësirën Shengen është inkurajues, trishtues është fakti që Shqipëria edhe pse e nisi e para këtë proces që në vitin 2004, mbeti e fundit”, - tha dje Bushati. Sipas tij Shqipëria mbeti e fundit në procesin e liberalizimit të vizave për shkak të dështimit të përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, kritere këto të njëjta për 5 vendet të rajonit. Bushati pohoi se është koha që të nxirren mësime e përgjegjësi nga dështimi i qeverisë Berisha në përmbushjen e standardeve të kërkuara për heqjen e vizave. “Është koha që Sali Berisha ti kërkojë ndjesë shqiptarëve për dështimin e qeverisë së tij dhe për izolimin që sot përjetojmë në dallim nga fqinjët tanë”, - tha ai. Madje ligjvënësi socialist shtoi se ashtu siç kërkon dhe BE, Berisha duhet të dorëzojë para drejtësisë ministrat e inkriminuar. “Bashkë me ndjesën për shqiptarët, Berisha nuk duhet të na vonojë më në procesin e liberalizimit të vizave, por të dorëzojë para drejtësisë imunitarët e inkriminuar sikurse kërkon Progres Raporti i Komisionit Evropian dhe raportet e vlerësimit të ekspertëve të Bashkimit Evropian mbi përmbushjen e standardeve për heqjen e regjimit të vizave” , - tha ai. Bushati bëri thirrje edhe që Berisha ti japë fund luftës me opozitën dhe të përqendrohet në luftën kundër krimit të organizuar e trafiqeve, të reformojë urgjentisht sistemin e menaxhimit të integruar të kufijve dhe të garantojë funksionimit e policisë së shtetit brenda hullinjve të ligjit, çka përbëjnë dhe kushtet kryesore të vendosura nga Bashkimi Evropian lidhur me liberalizimin e vizave me vendin tonë. “Bashkë me ndjesën për shqiptarët, Sali Berisha duhet të pranojë kërkesën legjitime të opozitës për hapjen e kutive të 28 qershorit, si e vetmja rrugë për fillimin e një dialogu politik dhe mos ta vonojë më këtë vend drejt integrimit evropian dhe lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen”, - tha ai. Pak javë më parë BE vendosi liberalizmin e vizave për qytetarët e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Tobias Billstrom, përfaqësues i presidencës suedeze të BE-së, si dhe ministër për Politikat e Azilit dhe Emigracionit gjatë këtij momenti ka komentuar dhe mospërfshirjen e Shqipërisë në grupin e përfituesve. “E kuptoj që është zhgënjyese që Shqipëria e Bosnja nuk u përfshinë në vendimin që Këshilli mori. Progresi i tyre teknikisht u konsiderua i pamjaftueshëm nga Komisioni dhe një mision i ri ekspertësh do të dërgohet në Shqipëri e Bosnjë në fund të vitit dhe në fillim të vitit të ardhshëm. Komisioni do të bëjë një vlerësim tjetër, nëse ata përmbushin kriteret e udhërrëfyesit”, - ka thënë ai. Billstrom ka theksuar se sapo të konstatohet se dy vendet kanë plotësuar kushtet, liberalizimi do të bëhet menjëherë nga Komisioni. Sipas tij, ky proces varet nga qeveritë e dy vendeve. “Nga momenti që këto dy vende plotësojnë standardet, Komisioni do të rekomandojë të njëjtën gjë, më pas meqenëse është bashkë-vendimmarrës, Parlamenti do të përgatisë vendimin në kohë. Kështu që është në duart e qeverive të këtyre dy vendeve që të mos humbasin më kohë, por të përmbushin kushtet për të cilat është rënë dakord me nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave”, - ka nënvizuar Billstrom.
Ky lajm është publikuar: 21/12/2009