E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Lëvizja e lirë, Shqipëria gjithmonë ka qenë e fundit

Autori i Lajmit: RedaksiaKreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i ka bërë edhe njëherë thirrje politikës që të bashkohet në proceset integruese të vendit. Në një takim me anëtarët e LSI-së në Elbasan, Meta ka theksuar se Shqipëria është drejt integrimit evropian dhe se liberalizimi i vizave do të bëhet në vitin 2010 për vendin tonë. Por kreu i diplomacisë, Ilir Meta tha nga Elbasani se Shqipëria gjithmonë ka qenë e fundit në rajon dhe nuk mund të bënte përjashtim as këtë herë. Qeveria parashikon se afati i fundit për heqjen e vizave me BE-në do të jetë korriku i 2010, ndërsa eksponentë të majtë thonë se edhe nëse kjo ndodh ky është vullneti i evropianëve dhe nuk do jetë meritë e Ekzekutivit.
Sipas Metës Lëvizja Socialiste për integrim është garante për qeverisjen e vendit dhe është në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Më tej ai ka komentuar dhe situatën politike në vend duke i bërë thirrje mazhorancës të mos bjerë pre e presioneve të kota. Sipas tij këto provokime kërkojnë të ushqejnë një situatë artificiale konfliktualiteti. “Duke iu shmangur këtyre tensioneve false që bëhen për interesa personale ne do vazhdojmë reformat për zhvillimet integruese që ndihmojnë shqiptarët për lëvizjen e lirë. Të gjitha kushtet po plotësohen. Në këto 3-4 muaj është bërë një proces spektakolar. Janë prodhuar mbi 300 mijë pasaporta”, - tha ai. Edhe dy ditë më parë nga Berati Meta, është ndalur gjerësisht në procesin e integrimit të Shqipërisë dhe reformat integruese që përbëjnë angazhimin kryesor të kësaj qeverie. Ai u shpreh se koalicioni midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është garancia e qytetarëve për realizimin e këtyre reforma. Më tej Meta ka garantuar anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së se kjo forcë politike do të qëndroj larg tensioneve false. Veprimi politik i LSI-së, deklaroi ai do të ketë si orientim vetëm integrimin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim duke u ndalur në problematikat e Berati garantoi se qeveria do të ketë në prioritet zhvillimin e këtij qyteti. Duke konsideruar vitin 2010 si vitin më të rëndësishëm për sa i përket konkretizimit të reformave dhe proceseve integruese të vendit, Meta, ftoi opozitën që të kryej rolin e saj, jo vetëm në përmbushjen e standardeve të BE-së, por edhe në realizimin e aspiratave të qytetareve shqiptarë dhe vet votuesve të saj. “Dorëzimi i Pyetësorit nga Komisioni Evropian përbën një moment historik për vendin, moment që kërkon kontributin dhe energjitë e gjithë aktorëve të politikës, si dhe përfshirjen e faktorëve të tjerë, të shoqërisë civile, ekspertëve e më gjerë”, - ka pohuar ai.

Ky lajm është publikuar: 21/12/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›