"Shpërthen" Cani, shënon edhe Salihi
Edgar Cani bëhet protagonisti i padiskutueshëm i Askolit gjatë kësaj fundjave në Serinë B italiane. Sulmuesi shqiptar ka shënuar dy gola në barazimin 2-2, që skuadra e tij arriti përballë Albinolefes. 19-vjeçari ka shënuar në minutën e 25-të, vetëm 60 sekonda pasi miqtë kaluan në avantazh me Laner. Ai ka përfituar nga shtatlartësia, duke devijuar me kokë në rrjetë një kros të Sonçit. Ndërkohë, 12 minuta përpara fërshëllimës finale, Cani realizoi sërish në portën e Albinolefes, që deri në ato momente kryesonte 2-1. Në rrjetën e dytë, ai ka treguar kualitet të lartë, duke iu shkëputur mbrojtësve kundërshtarë dhe pasi ka dribluar Narçizion ka vulosur barazimin 2-2. "Është hera e parë që shënoj dy gola në një ndeshje të Serisë B dhe jam shumë i lumtur, pasi ndihmova Askolin të merrte një pikë në një sfidë shumë të vështirë", deklaroi Cani pas ndeshjes. E shtuna ka qenë pozitive edhe për një tjetër sulmues shqiptar. Bëhet fjalë për Hamdi Salihin, i cili ka shënuar në fitoren 3-2 që Ried arriti përballë Altash. Kuqeziu shënoi golin e avantazhit të përkohshëm 2-1. Kjo është rrjeta e shtatë e shkodranit në "tipp3-Bundesliga" austriake.