E Shtunë, 31 Tetor 2026

Java e Bibliotekës fillon me promovime

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 10:04

Në ditën e dytë të Javës së Bibliotekës u promovuan dy libra: “Libri Shqip 1555-1912”, nga Ramazan Vozga, dhe “Bibliografia Shqiptare 1913-1944”, nga Maksim Gjinaj, Margarita Mele, dhe Myrvete Elmazi.

Në hapje të promovimit të këtyre librave, drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Salih Bashota, mes tjerash, theksoi se:
“Këto vepra kapitale janë një histori e qytetërimit shqiptar, dhe një fenomen i dëshirueshëm për çdo bibliotekë”.

Sipas tij, “Bibliografia Shqiptare 1913-1944” dhe “Libri Shqip 1555-1912” janë ndër projektet më të rëndësishme të Bibliotekës Shqiptare.
Nga ana tjetër, drejtori i Bibliotekës së Shqipërisë, Aurel Plasari, botimin e këtyre librave e quajti sfidë tepër të madhe për të. “Përfundimi i këtyre veprave ka qenë sfida ime më e madhe që kur kam ardhur në krye të BKSH”, theksoi ai.

Sipas autorëve të të dyja veprave, e gjitha ishte një sfidë kundër regjimit totalitar, pasi që puna në përfundimin e dy veprave kapitale kishte filluar qysh në vitet e 90’a.

Pjesë e ngjarjes ishte edhe prezantimi i projektit “Portali Albanologjik Shqipëri - Kosovë”, që synon forcimin e marrëdhënieve mes dy bibliotekave kombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›