E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Java e kinemasë” në mjedise të hapura e falas

Në Korçë fillon java e kinemasë. Është ky një nga aktivitetet kulturore të sezonit turistik. Javën që shkoi Korça kishte javën e muzikës , që solli për banorët e saj koncerte të shumta artistike. 

Ato ia lanë vendin ekranit dhe magjisë së kinemasë verore, duke afruar më shumë publikun në këtë sezon me kulturën dhe traditën e hershme të qytetit. Banorët e Korçës këtë javë kanë shansin që të shijojnë ekranin e ngritur në natyrë të hapur. Për ta do të shfaqen filma të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj, pa harruar edhe komedi të shumta. Banorët e Korçës, të lidhur me traditën e “xhirove” të orëve të pasdites mund të ndjekin edhe ndonjë film në mjediset e hapura të natyrës, në vende të caktuar nga ana e Bashkisë. Pikërisht tek vendi ku më parë ka qenë kinema “Luksi” dhe para 80 vjetësh korcarët rendin të blinin biletat për të shijuar filmat që shfaqeshin në atë kohë, është vendosur një ekran i madh, ku u çel edhe java e filmit. Interesi për të ndjekur filmat që janë planifikuar të shfaqen falas për publikun ka qenë i madh. Këto ditë të nxehta korriku, që kanë filluar të freskohen në mbrëmje, po gjallërrohen nga aktivitete e shumta kulturore. Korçarët kanë nisur të ndjekin filmat që prej dy ditësh po shfaqen në këto kinema verore të improvizuara. Deri në fundin e javës në ekranet e  kinemave verore, të cilët janë fiksuar  në vende publike që shkelen denduar nga banorët e qytetit dhe turistët vendas dhe të huaj,  do të shfaqen  filma të njohur, produksione të viteve të fundit por edhe komedi shqiptare. Tematika e larmishme e filmave ka përfshirë disa nga sukseset botërore të ekranit kinematografik por edhe ato produksione që në vendin tonë janë vlerësuar në vite si më të mirat. Mësohet se janë duke u shfaqur filmat “Troja”, “Përrallë nga e kaluara”, “I dashur armik”, “Zonja nga qyteti”, etj. Korça ka patur kinematë e para në vendin tonë, këtu funksiononin dy të tilla, pikërisht kinematë “Luksi” dhe “Majestik”, çka bëri që të krahasohej para shumë dekadash me Parisin. Prej drejtuesve të Bashkisë në Korçë synohet që të rikthehet vëmendja e banorëve të Korçës tek kjo traditë e vjetër, që dikur ngjallte kënaqësi të shumta. Për korçarët magjia e ekranit dhe e filmit, nuk është shuar asnjëherë, ajo terheq mijra banorë të saj drejt botës kinematografike.                     j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›