E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobat, amnistohen për 20 mijë biznese

Autori i Lajmit: red.
Janë 20 mijë biznese, debitorë ndaj shtetit, që do t u falen gjobat, me vlerë mbi 30 miliardë lekë. Por, nga kjo amnisti do të përfitojnë të gjitha ata biznese që do të paguajnë principalin. Ministri Bode saktësoi dje përmes një konference për shtyp se, “Do të falen gjobat e kamatvonesave për biznesin, por do të paguhen detyrimet tatimore”.
Bode sqaroi se ministria po përfundon projektligjin për faljen e borxhit ndaj biznesit. Kështu, një e katërta e borxhit prej 40 miliardë lekësh është detyrim tatimor dhe 3/4 janë gjoba dhe kamatvonesa.
Falen 40 miliardë lekë, gjobat e bizneseve
"Bëhet fjalë për një falje për detyrimet, gjobat dhe kamatvonesat për bizneset, të cilat kanë një periudhë të gjatë që janë debitorë në shtet dhe për motive nga më të ndryshmet, ende nuk është caktuar kundërvlefta, sikurse do të ketë edhe një rregullim me ligj të asaj shume marramendëse që ekziston nga bizneset debitore", tha Bode. Sipas ministrit Bode janë rreth 40 miliardë lekë detyrime vetëm nga tatimet të cilat janë vendosur ndër vite nga inspektorët tatimorë. "Drafti është futur në procedurë, për të kaluar në parlament dhe është parashikuar një periudhë tremujore, që të gjithë bizneset të kenë kohë për të likujduar principalin dhe për të eliminuar të gjitha gjobat dhe pjesërisht kamatvonesat", tha Bode. Kreu i financave publike, theksoi se hartimi i draftit u bë me qëllimin për të çliruar këto biznese dhe për t i ftuar ato të dalin në dritë, sikurse edhe kolegët dhe rivalët e tyre në ekonominë shqiptare.
Financat e shtetit
Financat e shtetit shqiptar paraqiten me një performancë të mirë, gjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti. Kreu i Financave Bode deklaroi mbi realizimin e të ardhurave dhe shpenzimeve për pjesën e parë të këtij viti, se të ardhurat totale në buxhetin e shtetit, arritën në rreth 135 miliardë lekë, nga 130.9 lekë të parashikuara, duke u realizuar në masën 103.17 %. "Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë të ardhurat janë rritur me 19.5 miliard lekë, ose 16.9 %," theksoi Bode. Shpenzimet e përgjithshme të shtetit në fund të muajit qershor kanë arritur në rreth 137.3 miliard lekë, nga rreth 148.9 miliard lekë të parashikuara për këtë periudhë, duke u realizuar rreth 92.3 %. "Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2007 këto shpenzime rezultojnë rreth 31.9 miliard lekë më të larta, ose 30.3 %",- tha ministri.
Investimet publike
Ministri u shpreh për financat publike se, investimet publike janë 2.5 herë më të larta se në 2007, ndërsa të ardhurat janë tejkaluar me 4.2 miliardë lekë. 6-mujori i parë i këtij viti flet për një tejkalim të të ardhurave në buxhetin e shtetit në një vlerë totale prej 4.2 miliard lekësh ose rreth 3.2 % më shumë nga sa ishte programuar në buxhetin e fillim vitit. Kreu i financave publike, Bode theksoi se rritja e të ardhurave në këtë vit, është me ritmin më të lartë historik që kanë pasur ndonjëherë financat e shtetit me rreth 20 % më shumë, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe kjo përbën rritjen më të madhe jo vetëm në vlerë absolute dhe në vlerë relative, (në përqindje) por, nga ana tjetër përbën rezultatin më pozitiv të shënuar në administrimin e financave të shtetit, nisur nga fakti se në vitin 2008 një sërë taksash pësuan një ulje të rëndësishme për shkak të aplikimit të taksës së sheshtë prej 10 %. "Kemi një përgjysmim të kontributit të Tatimit mbi Fitimin në buxhetin e shtetit. Të ardhurat tatimore që përbëjnë zërin kryesor janë me një tejkalim prej 2.8 miliard lekësh dhe këtu përfshihen të gjitha kategoritë e të ardhurave tatimore, përfshirë edhe të ardhurat e pushtetit vendor",deklaroi Bode.

Të ardhurat
Buxheti suplementar 2008, gati brenda javës

Brenda javës do të shkojë në Kuvend buxheti suplementar për pjesën e dytë të këtij viti. Ministri Bode duke mos bërë publike krejt shumën totale të këtij buxheti, pasi shumë shpejt, sipas tij, do të bëhet e qartë gjithçka në Kuvend tha se, "20 miliardë lekë janë nga të ardhurat nga tatimet dhe doganat, ndërsa ka edhe pjesë nga rialokimet dhe kontigjencat që e rrisin masën e këtij buxheti suplementar."
Ky lajm është publikuar: 11/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›