Ronaldinjo: “Kaka, qëndro te Milani, së bashku do të argëtohemi shumë”
Oferta e çmendura për Kakanë nga Çelsi – së fundi u fol për një shifër rekord 150 milionë euro – nuk e kanë lenë pa trazuar edhe një lojtar të klasit të lartë si Riki Kaka. Milani i ka hedhur poshtë vazhdimisht ofertat e ardhura nga blutë e Londrës. Administratori i kuqezinjve, Adriano Galiani, madje pohoi se edhe sikur 250 apo 300 milionë euro të jepte miliarderi rus Roman Abramoviç, Milani nuk do ta jepte Kakanë.
RONALDINJO - Zërave të Galianit e trajnerit Ançeloti, u është bashkuar edhe Ronaldinjo, blerja e bujshme e Milanit. Ronaldinjo dëshiron që Kaka të mbetet kuqezi. “Shpresoj që Kaka të qëndrojë sa më gjatë që të jetë e mundur te Milani, pasi do të argëtohemi shumë së bashku”, -tha “El Gaucho” për televizionin “Sky”. Jashtëklasi brazilian i blerë nga Barcelona tashmë përdor më shumë një fjalë: skuadër. “Milani nuk është vetëm Ronaldinjo-Kaka-Pato, por një skuadër, kështu që është e drejtë të flasin të gjithë”.
ANÇELOTI – Edhe tekniku i “Djajve” nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e “Topit të artë”: “Kakanë e kam parë të lumtur e të qetë. Është normale të jetë i kënaqur, kur shikon se të jetë kaq i vlerësuar”. Braziliani do të jetë në fushë, më 29 korrik në “Trofeun TIM”. Fushata e blerjeve e ka kënaqur shumë trajneri Ançeloti: “Kemi bërë blerje shumë të mira. Një lojtar të madh në mbrojtje (Zambrota), një lojtar fantastik në mesfushë (Flamini) dhe një fenomen në sulm (Ronaldinjo)”. Pikërisht, ky i fundit e ka impresionuar më shumë trajnerin, me atë që po tregon Ronaldinjo në stërvitje. “Është një djalë i ndrojtur dhe është paraqitur shumë i zoti. Është një lojtar që integrohet shpejt, edhe pse është pak prapa nga kondicioni fizik. Besoj se Olimpiada do ta ndihmojë, ashtu si do ta ndihmojë stimuli se Milani e ofroi pas katër muajve jo të bukur te Barcelona”. Trajneri i Milanit flet edhe për Interin. “Nuk dua të bëj krahasime me Interin, unë flas vetëm për ne. Kjo skuadër në raport me vitin e kaluar është përmirësuar. Pastaj është fusha që do të tregojë se kush është më i forti”.
Roma nis sulmin “Mutu”
Roma i paraqiti një ofertë zyrtare Fiorentinës për blerjen e sulmuesit rumun Adrian Mutu. Lajmin e bëri të ditur drejtori sportiv i Fiorentinës, Korvino. “Dua të flas më letra të hapura, - tha ai për fiorentina.it. “Politika e Fiorentinës është t’i mbajë lojtarët e saj, por përsa i përket elementëve afër të tridhjetave, nëse ata duan të largohen duhen dëgjuar edhe ofertat e mundshme. Më duket e drejtë që të marr në konsideratë oferta, dhe nëse ato janë të vlefshme, atëherë do të flasim edhe konkretisht. Është normale, që Mutu të dëshirojë tjetër ekipi në raport me Fiorentinën”, - tha drejtori sportiv Pantaleo Korvino.
23 Korrik 2008