Java e lobimit

Atifete Jahjaga, Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli dhe Enver Hoxhaj do të marrin pjesë në Javën Presidenciale dhe Ministrore që organizohet çdo vit në New York, në gjysmën e dytë të shtatorit, në margjina të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Java Presidenciale dhe Ministrore është ngjarja më e madhe diplomatike në botë. Krerët shtetërorë dhe shefa te diplomacive nga të gjitha vendet anëtare të OKB’së do të qëndrojnë në New York, jo vetëm për punimet e Asamblesë së Përgjithshme, por edhe për takime bilaterale.
Bashkë me udhëheqësit e Kosovës, në OKB do të jetë edhe ambasadori i Kosovës në Washington, Avni Spahiu.
Zëdhënësi i MPJ’së, Artan Behrami ka konfirmuar pjesëmarrjen e udhëheqësve të institucioneve të Kosovës në OKB, derisa ka thënë se Ministria është duke e përgatitur agjendën e takimeve që do të kenë Presidentja, Kryeministri, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është duke punuar intensivisht në përmbylljen e takimeve që do të organizohen me rastin e mbajtjes së seancës së Kombeve të Bashkuara në mes të shtatorit. Gjatë këtyre ditëve, kur pritet të marrin pjesë të gjithë liderët botërorë, në New York do të qëndrojnë personalitetit më të rëndësishme të politikës së jashtme të Kosovës. Kjo mundësi do të shfrytëzohet për të zhvilluar takime me shumë përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë pranuar pavarësinë e Republikës së Kosovës, në synimin tonë për përmbylljen e suksesshme të procesit të njohjeve”, ka treguar Zëdhënësi i MPJ’së, Artan Behrami, për Express, të mërkurën.
Pa dhënë detaje për takimet që do t`i kenë zyrtarët e Kosovës, Behrami ka deklaruar se në New Yourk do të organizojnë takime për të kërkuar njohje të reja.
“Deri më tani janë fiksuar disa takime shumë të rëndësishme, por në ditët e ardhshme ne synojmë që të aranzhojmë takime me të gjithë përfaqësuesit e shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Behrami.
Expressi ka kontaktuar dy herë me Zëdhënësin e Presidencës, Arbër Vllahiu, i cili ka thënë se është ende herët të deklarohet për vizitën e Jahjagës në OKB, me rastin e Javës Presidenciale.
“Nuk kemi ende asnjë informacion tash. Është ende herët të flitet për këtë vizitë”, ka përsëritur Vllahiu për Express.
Edhe viteve të kaluara, Ministria e Punëve të Jashtme ka organizuar takime të zyrtarëve të Kosovës me homologët e tyre të vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën.
Deri më tash, realitetin e krijuar më 17 shkurt 2008 në Kosovë e kanë njohur 81 shtet të ndryshme të botës, duke përfshirë SHBA’në, Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, derisa pavarësinë vazhdojnë ta kundërshtojnë Rusia dhe Kina.