Beqaj: KEK-u dhe asociacionet e bizneseve duhet të qartësohen
Pas Aleancës Kosovare të Biznesit, edhe ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se vendimi i KEK-ut, i cili bizneseve u vendos ngarkesa të papërballueshme financiare, vjen në kohë të gabuar, andaj kërkojnë pezullimin e tij të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës, pasi si i tillë dëmton rëndë bizneset. Ndërkaq, ministri për Zhvillimit Ekonomikë, Besim Beqaj, ka thënë për Kosovapress, se ka kërkuar nga KEK-u, por edhe nga asociacionet e biznesit që t’i qartësojnë keqkuptimet në mes vete.
Myzejene Selmani, eksperte e ekonomisë, konsideron se KEK-u detyrohet të marrë vendime të tilla për shkak të menaxhimit të dobët, gjë të cilën sipas saj e vërteton edhe fakti se që nga pas lufta në këtë korporatë kanë shkuar me miliona euro nga buxheti i Kosovës.
Ajo e sheh të nevojshme edhe ndërhyrjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik kundër vendimit të KEK-ut.
“Duke pasur parasysh se KEK-u zbaton politika, të cilat i harton Qeveria dhe ligjet të cilat i miraton Kuvendi i Kosovës, Qeveria duhet të marrë një vendim të kundërt me KEK-un dhe të bëjë lehtësira për bizneset kur dihet që bizneset me këtë vendim, çfarë e sjell KEK-u, do të kenë mundësi që të ndalin prodhimin e vet. Unë nuk jam e interesuar që të ndalet prodhimi vendor, por të rritet, sepse e gjithë Kosova i ka sytë kah prodhimet vendore në këtë rast më shumë se çdo herë tjetër”, ka thënë Selmani.
Për më tepër ajo shton se KEK-u është dashur t’i japë ndihmë bizneseve e jo t’i ngarkojë bizneset në kohën e gabuar. Selmani thotë se në këtë rast KEK-u ka treguar se nuk është në gjendje që investitorët e Kosovës apo bizneset e Kosovës t’i mbajë me një gjendje stabile.
“Të bëhet taksë tashti për bizneset është absurde. Në vendin tonë ndodh çdo befasi, sepse në çdo vend të botës bizneset, të cilat kanë harxhime të mëdha deri në 1 mijë kilovatë atyre iu shkon zbritja e çmimit, ndërsa te ne po ndodh e kundërta- ju qitet taksë përpara kohe t’u mblidhet, e jo të paguajë bizneset në këtë kohe çfarë gjendet Kosova”, ka thënë Selmani.
Në lidhje me këtë, ministri i Zhvillimit Ekonomikë Besim Beqaj ka thënë për Kosovapress se Qeveria e Kosovës dhe ministria që ai drejton në asnjë rast nuk lejon vendime që e dëmtojnë biznesin, sepse sipas tij, qeveria aktuale dëshiron të krijojë ambient sa më të volitshëm për zhvillimin e sektorit privat duke e fuqizuar atë.
“Në këtë kontest unë kam kërkuar shpjegim dhe kam kërkuar edhe nga drejtori menaxher i KEK-ut që në asnjë moment nuk duhet të marrë veprime të cilat nuk janë në interes të biznesit, por as të tolerojë veprime, të cilat nuk janë korrekte me ligjin dhe rendin në Republikën e Kosovës. Unë jam i siguruar, që veprimet e tilla nuk do të lejohen, por që informata në momente të caktuara kërkon edhe sqarime shtesë. Dhe unë kam kërkuar nga KEK-u, por edhe nga asociacionet e biznesit që të takohen, t’i diskutojnë, dhe nëse shihet që ka nga njëra anë, ose nga ana tjetër, çfarëdo lloj keqkuptimi ai duhet të qartësohet deri në fund”, ka thënë Beqaj.
Ministri Beqaj thotë se sipas informatave të tij, për një njoftim të tillë është diskutuar edhe më herët, qysh në fillim të këtij viti me një numër të caktuar të bizneseve, të cilët kanë shprehur interesim për të hyrë në një regjim të tillë, dhe sipas tij bizneset kanë marrëdhënie kontraktuale me KEK-un.
Ai ka shtuar se Ministria e Zhvillimit Ekonomik, por edhe Qeveria e Kosovës janë të interesuara që të gjitha bizneset të kenë energji, por Beqaj thotë se ajo energji duhet të paguhet nga bizneset.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, nuk ka dashur të hapë telefonin për t’u prononcuar lidhur me këtë çështje, por ka “preferuar” që t’iu dërgojë medieve një komunikatë për media, përmes të cilës reagon ndaj deklaratave, siç i quan pamatura të kryetarit të AKB-së, Agim Shahini.
AKB ka bërë të ditur se në letrën, të cilën KEK-u e quan njoftuese, por që në fakt është vendim e që hyn në fuqi pas 30 ditësh nga data e dërgimit te biznesi, thuhet se secili konsumator i kësaj kategorie duhet të sigurojë garancinë pagesës para të gatshme prej 25 për qind të shumës së vlerësuar vjetore të faturimit të energjisë elektrike.
KEK gjithashtu ka kërkuar që konsumatori të nënshkruajë Direkt Debitin, si dhe njehsori i secilit biznes duhet të mos jetë i figuruar se ka borxhe.
Madje, Korporata ka kërcënuar konsumatorët se në rast se vetëm një herë dështojnë të paguajnë energjinë përmes Direkt Debitit, ata do të përjashtohen automatikisht nga të qenit konsumatorë me prioritet. /kp/