“Java e pestë e Kinemasë Spanjolle” vjen në Tiranëc
Petrika GROSI
Java e pestë e Kinemasë Spanjolle në Shqipëri do të sjellë për publikun shqiptar pesë filma, të cilët javën e fundit të këtij muaji do të shfaqen në sallën “Black box” të Akademisë së Arteve në kryeqytet, e më pas do të projektohen edhe në rrethet e tjera të vendit. Hyrja për publikun artdashës do të jetë e lirë dhe filmat do të shfaqen natyrisht në version spanjoll, por të subtitruara në shqip dhe anglisht. Duke ndjekur linjën e përqendrimit në tema të caktuara, Java e pestë e Kinemasë Spanjolle në Shqipëri do të kontribuojë për të ofruar një përqasje ndaj këndveshtrimit të artit të shtatë drejt disiplinave të tjera artistike, me të cilat ka mbajtur dhe mban një marrëdhënie e ndikim të ngushtë dhe të dyanshëm, si Teatri, Piktura ose Muzika. Filmat që përbejnë këtë cikël do të kujtojnë këtë lidhje duke sjellë një vizion të figurës dhe veprës së autorit të madh të Teatrit të Shekullit të Artit Spanjoll, Lope de Vega, i cili la pas një vepër të madhe, ku mes të tjerash, iu afrua figurës së Skënderbeut dhe ku “Qeni i Kopshtarit” përbën atë më të njohurën. Një figurë e madhe dhe vepër e Teatrit klasik dhe e Taetrit kontemporan, si Fernando Fernán Gómez, të cilit kërkohet t’i bëhet homazh. Një afrim gjithashtu, me figurën dhe trajektoren e atij që konsiderohet si pioner i Pikturës moderne, Francisco de Goya, si dhe piktorit realist spanjoll Antonio López. Sëfundi, një përqasje ndaj asaj shprehje muzikore esencialisht spanjolle që është flamenko, nëpërmjet jetës e figures të një personi, (Camarón de la Isla), i cili në Spanjën moderne është kthyer në mit. Filmi “Qeni i Kopshtarit”, i Lope de Vega, i përshtat për kinemanë nga Pilar Miró. Propozimi i regjisores nuk modifikon absolutisht veprën në vargje të këtij klasiku të letërsisë botërore, titulli i të cilit i referohet proverbit “Qeni i kopshtarit as ha, as nuk pushon së ngrëni.” Ndërkaq, filmi tjetër, “Udhëtimi drejt asgjëkundit”, i Fernando Fernán Gómez është bazuar në veprën e tij me të njëjtin titull. Autori, një prej interpretuesve më të mëdhenj të panoramës kinematografike e teatrale të Spanjës, e fokusoi këtë vepër mbi peripecitë e një grupi komikësh të teatrit në Spanjën postfrankiste, botë të cilën e njihte nga afër. Kështu kalojmë te filmi tjetër “Goya në Bordo”, i cili bën fjalë për vitet e fundit të Francisco de Goya-s. Regjisori mundohet që të eksplorojë eksperiencën jetësore e trajektoren artistike, për të cilën Goya u konsiderua “piktori i parë i erës moderne.” Vitet e fundit të jetës së tij, shërbejnë si spunto për të treguar një ngjarje që zhytet në dimensionin human, në veprën dhe obsesionet personale. “Dielli i ftoit”, titullohet filmi tjetër, me regji të Victor Erice, i cili ndalen në procesin e krijimit të një vepre të Antonio López, (konsiderohet si babai i shkollës realiste madrilene). Piktura dhe kinemaja kthehen në instrumente të kapjes së reales nga duart e dy krijuesve të pajisur me një sens personal poezie. Kurse “Kamaron” do të jetë filmi i fundit i Javës V të Kinemasë Spanjolle në Shqipëri e cila siç kuptohet dhe nga emri, është paraprirë nga katër javë të tjera që kanë pasur si tematikë transformimin social të ndodhur në Spanjë gjatë dekadave të fundit dhe marrëdhëniet e ndërsjellta mes kinemasë e letërsisë.
24 Maj 2008