E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria mes konsensusit dhe bashkëpunimit politik



Është një nder i madh për mua të jem këtu, në këtë Konferencë dhe të marr fjalën në shtëpinë e demokracisë. Këshilli i Europës, për shkak edhe të numrit të konsiderueshëm të anëtarësimit, por më tepër për shkak të arsenalit unik dhe Konventave ligjërisht të detyrueshme, mekanizmave monitorues dhe ekspertizës ligjore dhe politike të pakrahasueshme, na përket të gjithëve ne. Ai prezanton 800 milionë qytetarë të kulturave, traditave dhe historive të ndryshme, por që të gjithë kanë të përbashkët besimin te demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut. Kjo është edhe arsyeja që unë mendoj pse për parlamentet kombëtare, pjesëmarrja në Këshillin e Europës mbart një vlerë të shtuar.
I gjithë procesi i integrimit në BE, me qendër Këshillin e Europës, është bazuar mbi këto vlera. Kjo është arsyeja që unë, besoj se aspirata e Shqipërisë mbetet integrimi në familjen, së cilës, ne natyrshëm i përkasim.
Shqiptarët kanë vuajtur shumë ndër vite dhe historia e kombit tonë ka qenë një zinxhir dhimbjesh dhe vështirësish. Një ndër diktaturat më të egra komuniste tentoi të shkatërronte shpirtrat e shqiptarëve. U përpoq të përmbyste vlerat. U mundua të prishte vizionet dhe aspiratat, besimet dhe ëndrrat. Por duket se ajo më e madhja dhe më e natyrshmja, ëndrra europiane mbeti ndezur me rrënjët thellë në identitetin tonë europian.
Sot, pas 17 vjetësh nga ndarja me regjimin totalitar, historia e Shqipërisë nga histori mbijetese është shndërruar në një histori progresi. Me mbështetjen e vendeve mike, në ushqyem ëndrrën europiane, ecëm me ritëm përpara, realizuam reforma të guximshme dhe kjo në sajë të një lidershipi të fortë dhe vetëvendosje e përkushtim të fuqishëm.
Nuk ka qenë e lehtë, nuk ka qenë aspak e lehtë, por unë jam krenare që në sajë të reformave të gjithanshme, politike, ekonomike e sociale, të kryera veçanërisht në tre vitet e fundit, ne përjetuam ngjarje të mëdha historike për popullin shqiptar.
Në prill të këtij viti, ne morëm ftesën për anëtarësim në NATO dhe shpresojmë që vitin e ardhshëm të bëhemi anëtarë me të drejta të plota.
Po ashtu, ne besojmë që brenda këtij viti të përmbyllim ratifkimin e MSA-së dhe t’i kërkojmë BE-së të marrim statusin e vendit kandidat për anëtarësim.
Këshilli i Europës ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të çmueshëm për përballimin e sfidave të shekullit të 21-të.
Duke përfituar nga ky rast do të doja që shkurtimisht të sjell në vëmendjen tuaj progresin e Shqipërisë në fushën politike dhe kohezionit social, në përputhje me vlerat e shtuara të Këshillit të Europës, si mbrojtëse e vlerave thelbësore.
I kemi kushtuar një prioritet absolut luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Ne goditëm krimin e organizuar, jo vetëm sepse shkel të drejtat e njeriut dhe cenon stabilitetin ligjor të shtetit, por edhe se dëmton rëndë imazhin dhe demokracinë funksionale.
Shqipëria, falë politikës ”Zero tolerancë ndaj krimit” dhe vullnetit të palëkundur të Qeverisë është hequr nga harta e vendeve burim trafiku. Shqipëria është sot jo vetëm një vend i sigurt, por ajo reflekton paqe e stabilitet në rajon.
Shqipëria, gjithashtu, mbart edhe një aset të çmuar “Tolerancën dhe Harmoninë fetare”. Shqipëria i përcjell Europës, në këtë mënyrë, një mesazh të shkëlqyer: ”Mesazhin e respektimit të besimeve dhe të ndarjes së vlerave të mëdha”.
Në vitet e fundit Shqipëria ka kryer një revolucion të madh fiskal. Si rrjedhojë e luftës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal kemi rritur të ardhurat në buxhet me 23 %. Investimet publike në infrastrukturë janë katërfishuar, janë kufizuar abuzimet dhe janë zvogëluar shpenzimet administrative me 30%.
Rritja ekonomike është 6 % në vit dhe inflacioni ka mbetur 4%.
Vetëm dy vjet më parë, Shqipëria ishte vendi i taksave ndër më të larta në Europë. Sot si rezultat i reformës fiskale, Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në kontinent.
Është një vend gjithmonë e më tërheqës ndaj investimeve dhe turizmit, një vend ku po zbatohet taksa e sheshtë prej 10 % .
Rezultati i këtyre reformave identifikohet me rritjen prej 70% të investimeve të huaja direkte dhe, vetëm vitin e kaluar kursimet e shqiptarëve janë rritur me 19%.
Pra, ekonomia shqiptare po përjeton një periudhë optimiste.
Në këtë kuadër jemi angazhuar seriozisht për përafrimin dhe zbatimin e ligjeve të BE-së.
Si kryetare e Parlamentit Shqiptar jam e lumtur të them se në Parlament janë miratuar me dhjetëra ligje që prekin fushën e të drejtave të njeriut.
Më i rëndësishmi ka qenë ligji për organizmin e gjyqësorit dhe jemi duke punuar mbi reformën elektorale.
Qysh ditën e parë si Kryetare e Kuvendit iu përkushtova rritjes së ndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë për çështjet e ndjeshme sociale, si dhuna në familje, mbrojtja dhe edukimi i fëmijëve dhe barazia gjinore.
Ndërkohë kam pasur si prioritet sjelljen sa më pranë të Parlamentit te qytetarët e thjeshtë.
Në këtë kontekst, fushata e Këshillit të Europës, ”Ndal dhunës në familje” dhe ”Mbrojtja më e mirë ndaj fëmijëve” kanë pasur një impakt pozitiv.
Vetëm një muaj më parë Kuvendi i Shqipërisë, si një faktor kyç në jetën politike ndërmori reformën më të rëndësishme : Ndryshimet në Kushtetutë, me konsensusin më të gjerë politik, të arritur ndonjëherë më parë.
Në një klimë të tillë konsensusi dhe bashkëpunimi, ne jemi duke punuar dhe mbi reformën zgjedhore. Rrajoni i Ballkanit, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, po jeton një realitet të ri, të orientuar drejt paqes dhe stabilitetit dhe integrimit euroatlantik.
Në këtë realitet të ri shpresoj që Kosova të bëhet shpejt anëtare e Këshillit të Europës.
Ajo që unë dua të konfirmoj sot, është vullneti ynë i palëkundur, për të vijuar me reformat, pavarësisht sfidave që ato mbartin.
Ëndrra europiane e mbështetur nga mbi 95% e shqiptarëve, si dhe vlerësimi kombëtar dhe ndërkombëtar i reformave na inkurajon për të ecur përpara me shpresë dhe kurajë në rrugën e perspektivës euroatlantike.
Duke përfunduar, më lejoni të theksoj se në Këshillin e Europës, ne jemi anëtarë me të drejta të plota prej mëse 13 vitesh.
Ky fakt për demokracitë e reja si ajo e Shqipërisë do të thotë shumë. Ajo është nder, detyrë, dinjitet, një shkollë dhe ushtrim demokratik.
Këshilli i Europës, është për ne një instrument i jashtëzakonshëm për respektimin e të drejtave të njeriut dhe pikërisht në këtë sallë, Shqipëria po përgatitet t’i bashkohet familjes europiane.
Ju uroj të gjithëve suksese në një të ardhme të përbashkët, në një Europë në paqe, të lirë dhe të bashkuar.
Fjala e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në Këshillin e Europës

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›