Java e surprizave, Skënderbeu merr 3 pikë në Kavajë
Leonard Karaj
Skënderbeu fiton në Kavajë, Laçi shënon tri herë në portën vlonjate, Dinamo nuk njeh humbje as në fushë asnjanëse ndërsa Teuta dhe Apolonia kanë ndarë nga një pikë.Korçarët kanë marrë fitoren e tretë radhazi për këtë sezon duke ndalur dje as më shumë dhe as më pak se Besën e Shpëtim Duros. Dy gola me autorë Guerrip dhe Lika kanë zhvlerësuar golin e 10 personal të Daniel Xhafës për këtë sezon. Me këtë fitore “ujqërit e dëborës” kanë bërë një hap përpara ndonëse mbeten ende në vend të parafundit me pikë të barabarta me Flamurtarin e Vlorës. Kjo ishte fitorja e parë në transfertën e Skënderbeut dhe humbja e dytë e Besës në fushën e saj. Për javën tjetër Skënderbeu do të presë në fushën e vet, Dinamon kryesuese ndërsa Besa do të udhëtojë drejt Krujës.
Ndërkohë disa kilometra larg Kavajës, në Laç vendasit i kanë dhënë një leksion futbolli kuqezinjve të Gugash Maganit. Kurbinasit kanë fituar pastër, 3-1, ndaj vlonjatëve, duke i mundur këta të fundit dy herë, brenda një kohe të shkurtër. Dopietë e Norës dhe një gol i Veliajt i japin 3 pikët e radhës, kurbinasve të cilët e shikojnë veten vetëm 1 pikë larg Tiranës së vendit të tretë, duke konfirmuar kështu një sezon të shkëlqyer të tyre, që akoma mbart në vetvete shpresa për “Kupat e Evropës”. Për javën e 24-t Laçi do të jetë mysafir në Shkodër ndaj Vllaznisë ndërsa Flamurtari do të presë në Vlorë, Tiranën.
Ndërkaq dje në Krujë, në një fushë asnjanëse, ngase stadiumi “Qemal Stafa” mbylli dyert për shkak të kushteve të këqija të fushës, Dinamo ka triumfuar falë një goli të Malakarne. Ndryshe nga dy skuadrat ndjekëse të saj, Besa dhe Tirana, Dinamo nuk ka pasur asnjë pikë mëshire për Gramozin e vendit të fundit, që rrezikohet seriozisht për të rënë një kategori më poshtë.
Në Durrës, Teuta dhe Apolonia kanë ndarë nga një pikë, falë barazimit 1-1. Të parët kanë kaluar në epërsi miqtë nga Fieri, ndërkohë që në pjesën e dytë kanë barazuar durrsakët. Një rezultat i tillë ka lënë më të kënaqur miqtë, të cilët, në fakt, kanë qenë në mënyrë të përhershme “mace e zezë” për Teutën. Për javën tjetër Apolonia do luajë me Shkumbinin, teksa Teuta do presë sërish në fushën e vet Gramozin. Ndërsa po dje është shtyrë sërish ndeshja Shkumbini-Vllaznia, e cila u programua për t’u luajtur dje. Kushtet e këqija të fushës së Peqinit kanë bërë që ky takim të shtyhet për ditën e mërkurë me shpresën që tapeti i blertë i kësaj fushe të mund të rregullohet disi.