“Ishulli” i Blushit në format xhepi
Pas shitjesh rekord, por edhe debateve të shumta, libri i Ben Blushit, “Të jetosh në ishull”, vjen në një format xhepi. Dje, pasdite, në një prej mjediseve të “CityPark”, shkrimtari Ben Blushi zhvilloi një takim me lexuesin e tij. Ishte një rast i mirë për të ndarë mendime me shkrimtarin mbi dy romanet e tij të fundit, që kanë tërhequr jo pak vëmendjen e lexuesit dhe studiuesve. Për romanin “Otello, Arapi i Vlorës”, Ben Blushi u vlerësua me “Shkrimtari i vitit 2009” nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë dhe me çmimin “Petro Marko” nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në garën e përvitshme të çmimeve letrare. Por takimi i djeshëm i dedikohej më së shumti romanit të tij “Të jetosh në ishull”, i cili pas një shitjeje prej 25 mijë kopjesh, vjen për lexuesin edhe në një format xhepi, që mund merret me vete e të lexohet kudo.