Pasuritë, ILDKP akuza Prokurorisë
BLEDAR HOTI
Inspektorati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive akuzon Prokurorinë e Përgji-thshme për mos bashkëpunim ndërinstitucional në luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik. Kreu i IDLKP-së, Adriatik Llalla, në raportin vjetor të depozituar në Kuvend, bën publike përplasjet dhe mos bashkëpunimin me organin e akuzës në lidhje me kallëzimet e bëra ndaj zyrtarëve për fshehje të pasurisë. Sipas Llallës, Prokuroria stepet kur bëhet fjalë për të hetuar zyrtarë të rangjeve të larta në administratë. "Gjatë vitit 2009, Inspektorati i Lartë është gjendur përballë një situate jo të favorshme për realizimin e qëllimit të punës së tij. ILDKP ka vënë re se, organi i Prokurorisë aplikon standarde të ndryshme për raste të ngjashëm, pavarësisht se nga ana formale, procedura e hetimit administrativ dhe vërtetimi me prova shkresore është i njëjtë për të gjithë rastet. ILDKP konstaton se për zyrtarë, kryesisht lokalë, Prokuroria realizon një punë serioze për dërgimin e çështjeve për gjykim. Kjo iniciativë nuk vihet re për rastet kur ILDKP kallëzon penalisht zyrtarë të nivelit të lartë dhe që vërtetohet se nuk justifikojnë legjitimitetin e pasurive disa milionëshe të krijuara", thuhet në raportin e firmosur nga Llalla. Sipas raportit, një ndër rekomandimet kryesore të Kuvendit të Shqipërisë për aktivitetin e Inspektoratit të Lartë gjatë vitit 2009, ishte forcimi i bashkëveprimit me institucione të tjera, duke vënë theksin në raportet me organin e Prokurorisë, me qëllim parandalimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik. Por siç duket, ky bashkëpunim nuk është ende në nivelin e kërkuar. Nga 15 kërkesa për nisjen e procedimit penale, 11 procedime kanë përfunduar, nga të cilat 8 prej tyre janë dërguar për gjykim dhe 3 janë pushuar. "Nga informacioni i paraqitur, rezulton se 3 procedimet e pushuara nga organi i Prokurorisë janë pikërisht zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë me burime të ligjshme pasurinë e tyre që arrin në disa qindra mijëra euro", thuhet në raport. ILDKP, në përfundim të hetimit administrativ, ka dërguar në organin e Prokurorisë kallëzimin penal për fillimin e ndjekjes penale ndaj 16 zyrtarëve të kategorive të ndryshme, për veprën penale të parashikuar në nenin 257/a të Kodit Penal "Refuzimi për deklarim, mos deklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publike", në zbatim të nenit 281 të Kodit të Procedurës Penale. ILDKP ka aplikuar masën administrative "gjobë" për mos deklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, të zyrtarit ose personi të lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, ndaj 37 zyrtarëve. Ky institucion gjatë kontrolleve të ushtruara për verifikimin e të dhënave të deklaratave të interesave private të subjekteve deklaruese, ka konstatuar se problemet me informalitetin në regjistrimin e pasurive, sidomos të atyre të paluajtshme, krijojnë pengesë në efikasitetin e hetimeve të ndërmarra. Për këtë arsye, ILDKP në funksion të hetimit administrativ që ndërmerr mbi saktësinë dhe vërtetësinë e të dhënave të deklaratave të interesave private të zyrtarëve, në jo pak raste ka vijuar me aplikimin e mekanizmave alternativë. Në këtë kuadër, vlejnë për t'u përmendur rezultatet e arritura nga bashkëpunimi i krijuar me ALUIZNI-n, ku vetëdeklarohen për legalizim ndërtimet informale, nga ku ILDKP ka siguruar të dhëna për pasuritë e padeklaruara të disa zyrtarëve të lartë. Ligji detyron subjektet deklaruese që të deklarojnë pasuritë e tyre të paluajtshme dhe të drejtat reale mbi to, pavarësisht nga fakti nëse janë të regjistruara në regjistrat publikë ose jo.
faktet e raportit
Gjatë vitit 2009 kanë kaluar për kontroll të plotë 355 subjekte deklarues, nga të cilat: 30 subjekte deklarues, për shkak të funksionit (neni 17/2 i ligjit PKI): 165 subjekte deklarues të përzgjedhur nga shorti (neni 17/3 i ligjit PKI)
107 subjekte deklarues për probleme të evidentuara gjatë kontrollit aritmetik-logjik (neni 17/4 i ligjit PKI))
52 subjekte deklarues për shkak të të dhënave nga burime të ligjshme, media, publiku, etj. (neni 17/5 i ligjit PKI)
1 rast si "person i lidhur" me zyrtarin subjekt deklarues
ILDKP në përfundim të hetimit administrativ, ka dërguar në organin e Prokurorisë, kallëzim penal për fillimin e ndjekjes penale ndaj 16 zyrtarëve të kategorive të ndryshme:
6 zyrtarë të kallëzuar për kundërvajtje penale të parashikuar në paragrafin e parë të nenit 257/a
10 zyrtarë të kallëzuar për veprën penale të parashikuar në paragrafin e dytë të nenit 257/a të K.Penal
Janë 15 kërkesa për nisjen e procedimit penal të Inspektoratit të Lartë; 11 procedime penale kanë përfunduar, nga të cilat 8 procedime janë dërguar për gjykim dhe 3 procedime janë pushuar.
Nga 8 procedimet e dërguar për gjykim, janë shpallur fajtorë nga gjykatat 7 persona dhe është dhënë pafajësi për një person.
3 procedimet janë pushuara nga organi i Prokurorisë. Janë pikërisht zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë me burime të ligjshme pasurinë e tyre që arrin në disa qindra mijëra euro.
Janë ndërmarrë sanksionet përkatëse "gjobë" për 8 zyrtarë të nivelit të lartë drejtues, pasi nuk kanë zgjidhur në kohën dhe mënyrën e duhur konfliktin ndërmjet funksionit publik dhe interesave të tyre private.
19 raste janë shmangur nga marrja në funksione të ndryshme e zyrtarëve që kishin interesa private, që binin ndesh me funksionin publik. Informacioni ka mbërritur në ILDKP përmes bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë me autoritetet përgjegjëse.
17 raste, konflikt-interesi, të paraqitura nga institucione të ndryshme të administratës publike, të trajtuara dhe konfirmuara në Inspektoratin e Lartë
36 raste të evidentuara nga autoritetet përgjegjëse të institucioneve qendrore të administratës publike
48 raste të evidentuara nga autoritetet përgjegjëse të administratës së Pushtetit Vendor
1 rast, konflikt-interesi, i ofruar nga media, i cili vijoi me një hetim të plotë administrativ.