Raporti i KSHC: Në 2009, 48 largime nga administrata
Në vitin 2009, 48 punonjës të administratës janë larguar nga puna. Komisioni i Shërbimit Civil ka dorëzuar dje në Kuvend raportin për vitin e kaluar, ku ka evidentuar të gjitha shkeljet e statusit të nëpunësit civil në administratën qendrore dhe atë lokale. Por nuk dihet nëse Parlamenti do ta marrë në shqyrtim këtë raport, pasi zyrtari që duhet ta mbrojë atë është kryetarja Mimoza Hysenaj e cila është shkarkuar nga tre anëtarët e KSHC-së. Në një material prej 51 faqesh, Komisioni vëren se "pranë KSHC-së gjatë vitit 2009 janë paraqitur për shqyrtim 77 ankesa me objekt shfuqizimin e masës disiplinore. Nga këto: 48 ankesa janë 'largim nga shërbimi civil', të cilat zënë 62.33% të masave disiplinore të trajtuara. Në total masat disiplinore më të lehta janë zbatuar në 29 raste, të cilat zënë 37.67% të masave disiplinore. Vërejmë se: në 11 ankesa është aplikuar masa disiplinore 'kalimi në një detyrë të një niveli apo klase më të ulët', në 11 ankesa është përdorur masa disiplinore 'vërejtje me shkrim', në 7 ankesa masa disiplinore 'vërejtje me paralajmërim'". Një tjetër problem i ngritur në raportin vjetor të Komisionit të Shërbimit Civil është edhe zhvillimi i konkurseve në mënyrë fiktive. Komisioni vëren se në shumë institucione vazhdon të aplikohet rekrutimi dhe mbajtja në punë e nëpunësve me kontratë në pozicionet e punës që përfshihen në shërbimin civil.