Java e tregut valutor

Gjatë kësaj jave dollari amerikan ka patur performancën e tij më të mirë në tregun e këmbimit valuator në vend. Që nga filimi javës e deri ditën e shtunë monedha amerikane nuk e ka ndalur forcimin e saj. Kulmin e ka arritur në fundjavë, duke kaluar kufirin e 112 lekë. Kështu në fundjavë 1 dollar amerikan është këmbyer në tregun valuator në vend me 112 lekë, 1.20 lekë më shumë se në fillim të javës. Këto janë nivele historike për monedhën amerikane, e cila duket se ngadalë po i afrohet kufinjve “të paprekura” për 2-3 vitet e fundit, që me nisjen e krizës ekonomike në SHBA. Ndërkohë që edhe në tregjet ndërkombëtare indeksi i dollarit që mat ecurinë e monedhës amerikane kundrejt shportës së valutave të tjera ka prekur nivelin maksimal të 21 muajve. Në fakt operatorët janë në kërkim të mbrojtjeje më të fortë të mundshme nga infektimi i Eurozonës në kuadër edhe të zgjedhjeve në Greqi më 17 qershor. Ndërsa monedha europiane nuk ka patur të njëjtin fat kundrejt lekut,. Gjatë javës euro ka regjistruar një zhvlerësim të vazhdueshëm, duke arritur në fund të javës nivelin e 138 lekëve, apo 0,4 kelë më pak se në fillim të javës mbyllëse të majit. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor dobësimi i euros është pasojë e zhvlerësimit të tij të vazhdueshëm në tregjet ndërkombëtare, sidomos kundrejt dollarit, ndaj të cilit ka patur një javë tërësisht negative, kjo bazuar edhe në statistikat zhgënjyese të një dite më parë mbi papunësinë dhe sektorin industrial të Eurozonës. Gjithsesi edhe në javët e para të qershorit nuk pritet një ndryshim i situatës, të paktën deri pas zgjedhjeve parlamentare në Greqi, ku do të vendoset edhe fati i saj.