Spanja kerkon krijimi i nje autoriteti fiskal

Spanja kërkon krijimin e një autoriteti të ri në Eurozonë që do të merret me harmonizimin e buxheteve kombëtarë e manaxhimin e borxheve të vendeve të bllokut. Kryeministri i vendit, Mariano Rajoy tha se ky autoritet ishte përgjigja për krizën europiane të borxheve dhe se do të ndihmonte në qetësimin e gjendjes në të cilën ndodhej Spanja. Në të njëjtën kohë, sipas tij, autoriteti do t'i dërgonte një sinjal të qartë investiorëve se monedha e përbashkët është një projekt i pakthyeshëm.
Kjo nuk është hera e parë që një lider europian ka propozuar krijimin e një autoriteti të tillë, por situata në Greqi e Spanjë ka bërë që politikëbërësit në BE ta marrin parasysh krijimin e një institucioni të tillë. Deklaratat e Rajoy u bënë teksa rreth 100 demonstrues u mblodhën jashtë zyrave të Bankias, grupit të katërt bankar më të madh në vend. Ata protestonin kundër keqmenaxhimit të bankës që pak ditë më parë kërkoi 19 miliardë euro ndihmë nga qeveria.
Rajoy është shprehur i bindur se vendi i tij do të dilte nga kriza në sajë të përpjekjeve dhe me ndihmën e partnerëve evropianë, në një mesazh destinuar kapërcimit të frikës për një shpëtim ndërkombëtar të Spanjës.
"Spanja edhe pse nuk duket mirë në këtë moment, është një vend shumë solid. Spanja do të dalë nga kriza nëpërmjet përpjekjeve të saj dhe me mbështetjen e partnerëve tanë komunitarë sepse ajo që është në lojë nuk është vetëm e ardhmja ekonomike e Spanjës, por gjithashtu dhe ruajtja e Bashkimit Monetar Evropian'', deklaroi ai.
Qeveria spanjolle, e cila ka rritur taksat e ulur shpenzimet në mënyrë drastike, thotë se mundësitë që të veprojë tashmë janë të pakta, në një kohë që i takon BE-së të veprojë për të lehtësuar situatën e rëndë financiare me të cilën përballet.