Kreditimi privilegj per Tiranen
Kreditimi i paktë që është dhënë për tre muajt e parë të këtij viti, duket se ka bërë përfitues vetëm bizneset dhe individët, qytetarë të Tiranës. Të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i kredisë është rritur vetëm në kryeqytet me rreth 8 miliardë lekë në tremujorin e parë 2012, në raport me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, ndërsa në qytetet e tjera huadhënia është tkurrur.
Sektori që ka marrë pjesën më të madhe të huasë është “tregtia, riparimi i automjeteve dhe artikujve shtëpiake” me një rritje prej rreth 8% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas një gjallërimi në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit, kompanitë e ndërtimit në kryeqytet janë përballur sërish me pamundësi për të marrë hua, madje stoku i kredisë për këtë sektor është ulur.
Stoku i kredisë për Durrësin ka rënë, si rrjedhojë e reduktimit të huasë për sektorin e energjisë, por megjithatë firmat e ndërtimit kanë patur më shumë fat se kolegët e tyre të Tiranës, teksa kanë arritur të shtojnë huadhënien.
Elbasani ka shënuar një tendencë pozitive, me huanë për industrinë përpunuese që është rritur me rreth 14% në tremujorin e parë të këtij viti në raport me fundin e 2011-s. E njëjta tendencë pozitive është shënuar dhe në Vlorë.