Dhori Kule i premton studentëve të Ekonomikut vjeshtë të dytë
Protestat e studentëve të Fakultetit Ekonomik në Tiranë kanë përfunduar dje nga premtimi i rektorit Dhori Kule për një vjeshtë të dytë. Rektori i Universitetit të Tiranës, pasi është njohur mirë me problemet dhe kërkesat e një grupi të konsiderueshëm studentësh në Fakultetin Ekonomik i ka siguruar atyre zhvillimin e një sezoni të dytë vjeshte pas datës 1 nëntor. Pas ndërhyrjes së rektorit Kule për zgjidhjen e këtij problemi nevojitet përcaktimi i datave për sezonin e vjeshtës nga drejtuesit e Fakultetit Ekonomik, që e kanë kundërshtuar me forcë këtë tolerim. Nëse gjatë vjeshtës së dytë studentët do t’i marrin provimet e mbetura ata do të kalojnë në vitet përkatëse, në të kundërt ata do të detyrohen të qëndrojnë një vit në stazh. Vjeshta e vogël, pas provimeve të vjeshtës ka qenë një nga kërkesat kryesore të studentëve të Fakultetit Ekonomik në protestat e tyre.
Universitetet, si dhe kur do të nis aplikimi për plotësimin e vendeve bosh
Aplikimi për plotësimin e afro 4 mijë kuotave të paplotësuara në universitetet publike të vendit do të nis së shpejti. Megjithëse janë bërë publike kuotat e lira në të gjitha universitetet publike të vendit aplikimi nuk ka nisur ende. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se aplikimi për vendet bosh do të nis këto ditë. Po sipas këtyre burimeve, së shpejti para nisjes së aplikimeve, MASH-i do të nxjerrë një udhëzim të posaçëm për plotësimin e tyre dhe afatet. Ndërkohë që në udhëzimin e fundit të nxjerrë vetëm para dy ditësh nga ministri i Arsimit, Fatos Beja për plotësimin e këtyre kuotave thuhet se plotësimi do të bëhet sipas listave emërore të renditura nga Agjencia Kombëtare e Pranimeve, mbështetur në pikët dhe vullnetin e shprehur nga aplikuesit me plotësimin e formularit A3. Përjashtohen nga ky detyrim maturantët që regjistrohen në të gjitha programet e studimit, ku kanë mbetur mbi 100 kuota të paplotësuara, pasi regjistrimi në këto do të jetë i lirë. Nga faza e dytë e regjistrimeve në universitete rezultuan afro 4 mijë kuota të paplotësuara përfshirë këtu edhe disa shtesa të reja.
16 Tetor 2008