E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja “Fazlliç”, dokumentet përgënjeshtrojnë Kolën dhe Breçanin

Deklaratat e tri bashkëpunëtoreve të Fazlliçit janë kontradiktore. Dokumentet e QKR-së flasin për të tjera të dhëna për to

Flutura Kola dhe Shpresa Breçani kanë reaguar së fundi lidhur me faktet e publikuara në media për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin e tyre me Damir Fazlliçin. Megjithatë, “Albania”, krahas deklaratave standarde të tyre ripublikon sot dokumente, të cilat janë marrë në një institucion legjitim siç është QKR-ja. Por, në asnjë rast, as nga zonja Breçni dhe as nga zonja Kola, për asnjë moment, nuk kanë dhënë shpjegime lidhur me faktin se përse nuk u respektua prokura nga Qiproja (e cila obligonte Flutura Kolën të regjistronte firmën në Gjykatë, në Regjistrin Tregtar dhe në Tatime). Mënyra se si u transferua dhe u veprua me shitjen e kompanisë “Crown Acquisitions” flet minimalisht për një shitje fiktive dhe evazion fiskal, ndërsa zonja Kola nuk ka dhënë kurrë sqarime të detajuara lidhur me këto veprime. Ndërkohë që nga ana tjetër, zonja Shpresa Breçani ka mohuar në çdo rast se ka pasur të bëjë ndonjëherë me firmat e Fazlliçit, edhe pse dokumentet zyrtare flasin ndryshe. Lidhur me shitjen e firmës “Crown Acquisitions” praktika zyrtare tregon se më datë 9 korrik 2007, zoti Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e kësaj firme (me vendim gjykate nr. 34011/2, të gjyqtares Majlinda Dogga) për llogari të një firme të regjistruar në Nikosia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola. Dokumentet tregojnë se firma qipriote e ka lëshuar prokurën e përfaqësimit që në datën 14 maj 2007 (kohë në të cilën administrator ishte z. Isufi), ndërsa avokatja Kola, më datë 20 qershor 2007, firmosi kontratën e shitjes. Nga termat e kontratës del se firma “Crown Acquisitions” u shit për një vlerë 1 milion e 700 mijë euro. “Albania” shkoi të verifikonte pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve dhe pranë Drejtorisë së Tatimeve procedurën e regjistrimit si dhe për asetet e firmës. Por papritur zbuluam se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliçit (Flutura Kola duhet ta regjistronte atë në Tatime dhe në Regjistrin Tregtar në emrin “Altaria Research Limited”). Madje të dhënat nga Tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Firma nuk kishte asnjë aset dhe nuk ka paguar kurrë ndonjë detyrim tatimor, madje nuk ka paguar as 10 përqindëshin e tatimit mbi fitimin (170 mijë euro në rastin konkret, që sipas kontratës duhet t’i paguante Fazlliçi).

Deklarata e Flutura Kolës nëpërmjet Dhomës së Avokatisë

Dhoma Kombëtare e Avokatëve deklaron se avokatja Flutura Kola, gjatë shitjes së një prej shoqërive të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç, ka ndjekur një praktikë ligjore. Vetë avokatja Kola ka paraqitur pranë kësaj dhome një kopje të praktikës së shitjes së kuotave të kompanisë shqiptare “Crown Acquisitions” një kompanie qipriote me vlerë 1 milion e 700 mijë euro. Sipas deklaratës së avokatëve, gjatë shitjes avokatja nuk ka bërë asnjë shkelje të rregullave të kodit të etikë së avokatit, ndërkohë që ajo ka qenë e pajisur me një prokurë të lëshuar nga klienti i saj gjatë kësaj shitjeje. Gjatë ushtrimit të profesionit avokati vepron në emër dhe llogari të klientit dhe jo në emrin personal, ndaj sulmet ndaj tyre janë të pajustifikuara.

Deklarata e Shpresa Breçanit për lidhjet me Fazlliçin

Mbesa e kryeministrit Berisha, Shpresa Breçani, mohoi në mënyrë kategorike çfarëdolloj lidhjeje me biznesmenin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç. Nëpërmjet një reagimi publik, ajo ka pretenduar se “nuk kam pasur asnjë lidhje me firmat e biznesmenit Damir Fazlliç, nuk kam mbajtur dhe as kam audituar asnjë nga këto kompani, edhe pse ma lejon ligji”. Në këtë kontekst, mbesa e kryeministrit fton gazetarët që këto pretendime të saj “mund të konfirmohen qartë dhe pa asnjë vështirësi nëpërmjet dokumentacioneve që depozitohen në disa institucione shtetërore, siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Regjistrimit të Bizneseve etj”. Por referuar këtyre pretendimeve të saj dhe fakteve shkresore në lidhje me bashkëpunimin Fazlliç-Breçani, rezulton se kjo e fundit nuk thotë të vërtetën. Konkretisht, referuar aktit zyrtar të themelimit të kompanisë “Alpha sh.p.k.” me pronar Damir Fazlliç, citojmë se “eksperti i parë kontabël i shoqërisë ‘Alpha sh.p.k.’ caktohet zonja Shpresa Breçani me nr. licence 143, datë 29.12.2006".

Argita Malltezi nuk komenton shitjen fiktive të kompanisë së Fazlliçit

Argita Malltezi, vajza e kryeministrit Sali Berisha, ka reaguar dje me anë të një e-mail-i të nisur në redaksitë e mediave lidhur me akuzat që i janë adresuar së fundi për lidhjet në afera me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Ajo ka pranuar publikisht se ai është klient i studios së saj ligjore, por ka mohuar të ketë marrë pjesë në procese, të cilat lidhen me dhënien e fondeve publike, apo asaj që ka të bëjë me parkun energjetik në Porto Romano. “Shërbimet e kryera nga studioja ime për z. Fazlliç nuk kanë të bëjnë me sektorin publik”, - ka deklaruar ajo.

16 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›