Paskuqani dhe Dajti do të ketë së shpejti linjë urbane
Emanuela Sako
Me zbatimin e projekteve të nisura nga Bashkia e Tiranës, pritet shtimi i disa linjave urbane në kryeqytet. Nëpërmjet këtyre projekteve, lagjet periferike të kryeqytetit do ta kenë më të lehtë komunikimin me qendrën e Tiranës apo anasjelltas. Bashkia e Tiranës do t’iu krijojë mundësinë qytetarëve që të kenë më tepër mundësi lëvizjeje nëpërmjet linjave urbane. Mjaft lagje periferike nuk e kanë mundësinë e lëvizjes me urban për shkak të terrenit urbanistik të papërshtatshëm nga mungesa e rrugëve në brendësi të lagjeve. Linjat urbane kalojnë vetëm në zonat kryesore dhe më pas banorëve do t’iu duhet të ecin mjaft kohë në këmbë për të shkuar deri në banesën e tyre. Për këtë arsye, me projektet e fundit për ndryshimin e Tiranës, përfshihet edhe shtimi i linjave urbane për disa zona. Dy ditë më parë, kryebashkiaku, Edi Rama, u shpreh se do të shtohen linjat urbane në parqet periferike të Paskuqanit dhe Dajtit, me anë të transportit publik. Por, lidhja mes zonave do të shtrihet edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.
Zonat
Sipas projekteve të parashikuara nga Bashkia e Tiranës, qytetarët do të kenë mundësi të jenë të privilegjuar me lëvizjen nëpërmjet transportit urban. Kështu, me zbatimin e projektit për Unazën e Madhe do të përfitojnë qytetarët e zonës së Komunës së Parisit, Saukut, Qytetit Studenti etj. Zbatimi i këtij projekti kërkon dhe shtimin e linjave urbane në këto pjesë të kryeqytetit që për shumicën e qytetarëve është e vështirë të qarkullojnë. Kjo vjen sepse linjat urbane që kalojnë aktualisht nuk i përfshijnë të gjitha zonat dhe nuk prekin të gjitha lagjet. Kjo vjen për shkak të shtimit të numrit të ndërtimeve të reja në zonat më periferike. Zgjidhja e kësaj situate do t’iu vinte në ndihmë qytetarëve, pasi të gjithë do të kenë mundësinë që pranë banesave të tyre të kalojnë linjat urbane. Në këtë mënyrë do ta kenë më të lehtë të kryejnë lëvizjet e përditshme në një kohë më të shkurtër.
Projekti
Projekti për ndërtimin e Unazës së Madhe dhe Plani Rregullues i Tiranës do të mundësojnë shtimin e linjave urbane dhe kthimin e lagjeve periferike në zona urbane dhe të zhvilluara. Fakti që zhvillimi urbanistik i kryeqytetit përfshin prishjen e ndërtesave pa leje, shtimin e rrugëve mes blloqeve të banimit, ndërtimin e mjaft qendrave tregtare në periferi, mundëson krijimin e lehtësirave në lëvizjen dhe komunikimin me qendrën e kryeqytetit apo me rrugët kryesore me rrethet e tjera të vendit. Projekti përfshin ndërtimin e Unazës që nga Shkolla Teknologjike dhe deri te Rruga e Elbasanit. Ndërtimi i një pjese të Unazës së Madhe lidh Rrugën e Durrësit me Rrugën e Kavajës dhe kjo pjesë ka një gjatësi rreth 2.2 kilometra, ku përfshihet edhe zgjerimi. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik. Në projektin e kësaj rruge përfshihet dhe sistemi i sinjalistikës vertikale dhe horizontale, si dhe semaforët në të gjitha kryqëzimet në nivele.
16 Tetor 2008