Java qe mund te ndryshoje boten
Kjo javë pritet të jetë vendimtare për dy ekonomitë më të mëdha të botës e mbushur me ngjarje politike të një rëndësie të vecantë. Votimet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tranzicioni i pushtetit në Kinë janë dy zhvillime të cilat kanë potencialin të ndryshojnë kursin e ekonomisë globale për vitet në vijim. Ditën e martë në shtetet e bashkuara votohet për kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe për Kongresin. Ndërsa ditën e enjte partia komuniste e Kinës do të nisë punimet e kongresit të 18 të historisë së saj. Ky kongres që mbart me vete dhe surprizat më të mëdha politike të kohëve moderne pritet do të kulmojë në javën e ardhshme me kurorëzimin e Xi Jinping si pasues i Hu Jintao në postin e presidentit të Kinës. Këtë javë ai merr drejtimin e partisë, në muajin mars drejtimin e shtetit dhe ende nuk dihet se kur do të marrë drejtimin e ushtrisë. Ai do të ketë në dorë frenat e pushtetit për 10 vitet në vijim. Dy fuqitë më të mëdha të botës janë duke vendosur fatin e pushtetit dhe precedenti në këtë rast qëndron në faktin që ndërrimi i pushtetit po kryhet në një njëjtin moment. Investitorët kanë të drejtë të jenë të ngrirë. Ata tashmë po thonë se po bëjnë pushim me fokusin në zgjedhjet në shtetet e bashkuar. Tregjet kanë faturuar statuskuonë aktuale. Kjo do të thotë se ata janë të bindur që Obama do të marrë mandatin e dytë dhe do të ketë përplasje të fortë politike me kongresin e kontrolluar nga republikanët në lidhje me uljen e shpenzimeve buxhetore dhe rritjen e taksave. Rezultati i bisedimeve mes palëve në lidhje me greminën fiskale “mban në tension tregjet”. Votimet e ditës së martë kanë potencial të lartë që të turbullojnë akoma më shumë të ardhmen. Ato mund të materializojnë skenarin më të frikshëm të tregjeve; rizgjedhjen e presidentit Obama dhe zgjerimin e kontrollit të kongresit nga republikanët. Analistët thonë se është pothuajse e pamundur që të parashikohet produkti që do prodhojnë zgjedhjet e ditës së martë për sektorin e politikës, si në terma afatshkurtër edhe në terma afatgjatë. Por paralelisht ka ngjarje të tjera politike që mund të shkaktojnë trazira të forta në rang global. Greqia duhet të aprovojë në parlament thellimin e reformës së punës dhe shtimin e masave të shtrëngimit ekonomik. Dështimi i këtij projekti në parlamentin grek mund të prodhojë goditje të forta në tregje globale pavarësisht se ndikimi do të jetë afatshkurtër. Ndërkohë që rikthehen frikërat për një dalje të Greqisë nga Eurozona.