Javë boshe për Lushnjën, tifozët lodhen duke pritur
Nga presidenti Fatos Tushe është paralajmëruar prej kohësh një analizë e hollësishme, që do të qartësojë shumë gjëra, por që nuk po zhvillohet
Nga Julian Kasapi
Ka kaluar dhe një tjetër javë dhe në ambientet e futbollit lushnjar nuk ka lëvizur asgjë. Ishte thënë nga presidenti i skuadrës, Fatos Tushe, se do të bëhej analiza e detajuar e sezonit që shkoi, ku verdhejeshilët dështuan në finalen e tij, duke humbur me Apoloninë në play-off, por nuk ka ndodhur kështu. Dhe ndërkohë që koha kalon, tifozët lushnjarë, më shumë se për shkaqet e mosrealizimit të objektivit, janë të interesuar për atë që do të bëhet me Lushnjën e re. Në analizë do të skanohej sjellja e secilit futbollist dhe e pjesëtarëve të stafit teknik, por, edhe pse ka kaluar 10-ditëshi i parë i qershorit, në Lushnjë futbolli mbetet i palëvizshëm, kështu që tifozërisë i mbetet të presë ende. Sportdashësit lushnjarë janë shmë të ndjeshëm ndaj skuadrë së tyre të zemrës, që presin ta shohin të riorganizuar dhe që të paktën sezonin e ardhshëm të mos përsërisë të njëjtat gabime. Në krahun tjetër, edhe pse për momentin nuk asnjë të larguar zyrtarisht, janë disa nga titullarët lushnjarë, të cilët janë në fokusin e disa skuadrave të tjera. Në këto kushte, sa më shumë kohë të kalojë dhe klubi lushnjar nuk nis të organizohet, nuk është çudi që grupi i sezonit të fundit të pakësohet. Ndoshta java e ardhshme do ta vërë në lëvizje mekanizmin te Lushnja, në mënyrë që kjo skuadër të përgatitet si duhet për kampionatin e ardhshëm, ku duhet të sfidojë në Kategorinë e Parë disa emra nga më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, Partizanin, Dinamon, Elbasanin etj.
Rexhepi: Naftëtari funksionoi vërtet si një ekip
Portieri shkodran, Fabiol Rexhepi, vlerëson ekipin me të cilin luajti fazën e dytë dhe pohon se ka dëshirë për të vazhduar me të në Kategorinë e Parë
Nga Arben Çepani
Naftëtari e arriti suksesin sezonin e fundit, sepse kishte një ekip solid, por kuptohet që në formacion janë disa që veçohen. Kështu, një nga pikat më të forta të kuçovarëve gjatë fazës së dytë të kampionatit ishte reparti i mbrojtjes, me në krye portierin Fabiol Rexhepi. Portieri shkodran, i huazuar nga Vllaznia, ka bërë një paraqitje shumë të mirë dhe, duke llogaritur edhe ndeshjen shtesë me Gramozin, ku Naftëtari fitoi 2-1, ka pësuar vetëm 3 gola. Prandaj 19-vjeçari është vlerësuar nga stafi teknik i Naftëtarit, aq më tepër që është dalluar edhe në ndeshjen shtesë. Në sekondat e fundit të saj ai shmangu me zgjuarësi një aksion shumë të rrezikshëm të kolonjarëve, që mund të sillte barazimin. Rexhepi, i cili ka fituar simpatinë e tifozëve kuçovarë, shprehet i kënaqur për faktin që dha edhe ai ndihmën e tij në ngjitjen e ekipit në Kategorinë e Parë. Po ashtu, ai shpreson që të jetë pjesë e Naftëtarit edhe në këtë kategori, edhe pse nuk e mohon dëshirën për tu rikthyer te Vllaznia. ”Nuk mund ta fsheh kënaqësinë që përjetova me Naftëtarin gjatë fazës së dytë të kampionatit të fundit, sepse ky ekip u ngjit pas disa sezonesh në Kategorinë e Parë. Ishte eksperienca ime e parë jashtë Shkodrës dhe kuptohet që kam pasur shumë emocione. Gjithsesi, me ndihmën e drejtuesve, stafit teknik, shokëve të ekipit dhe tifozëve të tij, arrita të përshtatëm shumë shpejt me Naftëtarin. Zhvilluam një fazë të dytë shumë të mirë, ku ekipi funksionoi si duhej. Pësuam pak gola dhe kjo mendoj se është meritë e gjithë grupit, që ishte i vendosur për ta realizuar objektivin. Ia dolëm me anë të ndeshjes shtesë, por mendoj se Naftëtari duhej të ishte ngjitur direkt në të parën. Dua të falënderoj veçanërisht tifozët, të cilët na mbështetën vazhdimisht dhe më shumë në ndeshjen shtesë me Gramozin, ku ata ishin përcaktues, sepse na motivuan për të dhënë maksimumin në fushë. Për të ardhmen do të thosha se shpresoj që të vazhdoj me Naftëtarin, por kuptohet që alternativa ime e parë është Vllaznia, ekipi ku jam formuar, – është shprehur Fabiol Rexhepi, i cili e mbrojti me sukses portën e Naftëtarit gjatë fazës së dytë të sezonit 2011-2012.
