E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni 2012-2013 i jep fund lëngimit të Partizanit

Administratori Gjergji Thaka ka marrë konfirmim nga Ministria e Mbrojtjes se të kuqve nuk do tu mungojë asgjë. Synimi është rikthimi në ditët e lavdishme

 

Nga ILIR CARA

 

Me sa duket, ka ardhur momenti që edhe Partizani, pas shumë kohësh, të shikojë ditë të bardha. Sezoni 2012-2013 parashikohet ti japë fund lëngimit të demave të kuq dhe skuadra të kthehet në vendin që i takon, në elitën e futbollit shqiptar. Ditët e fundit ka pasur zhvillime të shumta në kampin e kuq, por për stafin teknik lajmi më i mirë ka qenë licencimi në kohë nga ana e FSHF-së, gjë që i fokuson ata te ndërtimi i skuadrës së re. Thuhet se Partizani i ka vënë gjërat në vijë për sezonin e ri, por për ta konfirmuar këtë gjë administratori Gjergji Thaka ka kërkuar një takim në Ministrinë e Mbrojtjes. Për shkak të impenjimeve, takimi mes palëve nuk është kryer, por pritet të zhvillohet në fillim të javës së ardhshme. Por, mësohet se me anë të telefonit, administratorit Thaka i është komunikuar nga zyrtarët e ministrisë se ai duhet të rrijë i qetë, pasi Partizanit të këtij sezoni nuk do ti mungojë asgjë. Madje, thuhet se në këtë edicion do të kërkohet ndërtimi i një grupi, që nuk duhet ta diskutojë ngjitjen në Superligë, në mënyrë që më pas të nisë projekti për rikthimin e Partizanit të kohëve të lavdishme.

Pronari i ri Për momentin Partizani konsiderohet pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes, që me regjistrimin e shoqërisë së re aksionare e ka hapur rrugën për shitjen e klubit. Ashtu siç u mësua në mënyrë të befasishme regjistrimi i sh.a.-së së re, si një rrufe në qiell të hapur, do të bëhet i ditur edhe pronari i ri i Partizanit. Por gjasat janë që në këtë rast të mos ketë surprizë, pasi nga burime të ndryshme mësohet se ka kohë që ka nisur të lëshojë rrënjë Partizani amerikan. Ky Partizan mund të jetë funksional në fillim të korrikut, me shpresën se edhe seanca gjyqësore në Gjykatën e Apelit, më 27 qershor, do ta kompletojë legjendën me emblemën e vjetër.

Shtëpia e re Sporti shqiptar prej gati një muaji ka publikuar vendndodhjen e strehës së re të demave të kuq. Burime të rezervuara pranë Ministrisë së Mbrojtjes bënë me dije se kjo shtëpi e re e Partizanit do të jetë një repart ushtarak në Kashar, ku bëhet fjalë për një ambient të bollshëm si në terrene, por edhe në godina. Çdo ditë që kalon po e përforcon këtë gjë, pasi edhe për drejtuesit e kuq mësohet se ky mund të jetë destinacioni më i mundshëm, ku do të instalohet Partizani i ri.

Përgatitjet Duke nisur nga jave që vjen, në kampin e kuq do të nisin përgatitjet e para për sezonin e ri, ku Partizani merr pjesë në Kategorinë e Parë. Të mërkurën ose të enjten do të zhvillohet seanca e parë, ku padyshim fillimi do të jetë me grupin, që ngjiti Partizanin në të parën. Këto përgatitje të qershorit mendohen si një fazë parapërgatitore, pasi faza intensive mendohet se do të nisë në ditët e para të korrikut. Për momentin nuk ka asnjë ndryshim në strukturë, kështu që përgatitjet e para do të nisin në drejtimin e stafit që udhëhoqi të kuqtë në Kategorinë e Dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›