E Shtunë, 31 Tetor 2026

Javë pa bujë

Pavarësisht se java e modës “Prishtina Fashion Week” është mbajtur për tri ditë në Prishtinë, shumë pak ka bërë bujë në media. Në të kanë marrë pjesë kreatorë të huaj të modës dhe asnjë kreator kosovar Nga Ardian Jasiqi më 13 maj 2011 në ora 11:45

“Prishtina Fashion Week”, e cila është mbajtur në Prishtinë nga data 9 deri më 11 maj, ka kaluar si një javë pa ndonjë bujë të madhe, përgjithësisht nëse e krahasojmë me javët e tjera të modës që janë mbajtur nga “Kosova Models Agency”.

Në të kanë marrë pjesë emra të njohur të modës evropiane, njëri prej të cilëve është edhe Michel Adams, që edhe më parë ka paraqitur koleksionet e tij në Kosovë dhe ka sjellë Fashion TV për disa “party” këtu.

“Ne përpiqemi që më këtë sfilatë që mbahet në Prishtinë të sjellim paksa frymë ndërkombëtare të modës në Kosovë. Pra, nëpërmes kësaj jave përpiqemi që të sjellim një frymë tjetër, duke sjellë kreatorë të njohur të modës në botë dhe stilistë të njohur”, tha për Express Luan Oruçi, drejtor i Kosova Models.

Pyetja pse në këtë sfilatë nuk kanë marrë pjesë asnjë kreator kosovar i është bërë shpesh gjatë kësaj periudhe, por ata nuk i janë përgjigjur si duhet ftesës së tij. “Realisht ne kemi ftuar disa për të marrë pjesë. E jona ka qenë më i ofruar, por shumica më sa duket kanë qenë të zënë me punë të tyre dhe nuk kanë gjetur kohë të vinë me kreacionet e tyre”.

Nga ana tjetër, disenjatorja Krenare Rugova thotë se zakonisht disenjatorët nuk merren me gjëra të këtilla, pra me organizimin e javëve të modës, por kryesisht merren njerëzit që kanë afinitet për gjëra të këtilla.

“Unë kam pasur një sfilatë timen për të cilën kam punuar që disa vite. Në Prishtina Fashion Week nuk kam marrë pjesë sepse nuk kam pas kontakt me ta këtë vit. Arsyeja ka qenë se kam planifikuar sfilatën time, që e kam mbajtur në Prishtinë”, thotë Rugova.
Nga ana tjetër, Rugova ka thënë se ajo nuk dëshiron që të “tregohet egoiste”, pasi që ndonjëherë edhe disenjatorët në Kosovë nuk janë treguar të gatshëm të marrin pjesë nëpër sfilata të këtilla.

“Mendoj se dizajnerët nuk duhet të tregohen egoistë, por të marrin pjesë nëpër sfilata të këtilla. Normalisht me disa kushte që ata mund t’i kenë”, thotë ajo.
Nga ana tjetër, një stiliste tjetër, e cila ka mbajtur një revy mode disa ditë përpara, Blerina Kllokoqi- Rugova, thotë se ajo ka dashur që të organizojë vetë revynë, duke iu përshtatur edhe kushteve të saj. “Unë zakonisht kam pas me muzikë klasike dhe thjesht nuk kam dashtë me bo kombinim me dikë tjetër, duke e bërë ashtu sikurse kam dashur unë”.

Ndërkaq, sa i përket organizimit të sfilatave në Kosovë, Kllokoqi thotë se ata e kanë një ide për krijimin e një OJQ’je, e cila do të merret me organizimin e ngjarjeve të këtilla.

“Pra, duhet me organizuar ne si dizajnerë javë të këtilla dhe jo gjithkush, të cilët më shumë i bëjnë këto sfilata për komercialitet dhe fitim të vet sesa për ndonjë gjë tjetër”, thotë Blerina.

“Prishtina Fashion Week” në Prishtinë u organizua nga data 9 deri në datën 11 maj. Në të morën pjesë edhe emra të njohur të modës në botë, si: Michel Adams, Vergi, Yes London, John Peter, etj.

Nga ana tjetër, edicionin e 14’të të “Prishtina Fashion Week” e ka paralajmëruar drejtori i Kosova Models, Luan Uruqi, i cili ka thënë së në edicionin e ardhshëm do të prezantohen kreacionet për vjeshtë/dimër 2011/12.

Zakonisht në Prishtinë evente të këtilla organizohen edhe nga “Gecjani Group”, por edhe disa shtëpi të tjera të modës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›