E Shtunë, 31 Tetor 2026

Javë tepër e rëndësishme për Greqinë dhe zonën euro

ATHINË- Zona euro përgatitet të përjetojë një javë tepër të rëndësihme, me rikthimin e trojkës në një Greqi në prag të falimentit dhe me votën e parashikuar në parlamentin gjerman lidhur me zgjerimin e Fondit Europian të Mbështetjes Financiare (FESF), ngjarje që priten me padurim edhe nga tregjet në panik.
Pas një qëndrimi të dështuar në fillim të shtatorit, kreditorët e vendit, Komisioni Europian, Banka Qendrore Europiane (BQE), Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pritet të rikthehen këtë javë në Athinë për një auditim fiskal, që do të përcaktojë nëse vendi mundet ende të shmangë falimentin.
Çështja qëndron tek zhbllokimi në tetor, tepër e rëndësishme për Greqinë, i këstit të gjashtë prej tetë miliardë eurosh, pjesë e huasë akorduar në maj 2010 nga zona euro dhe FMN-ja.
Të kritikuar nga SHBA dhe FMN si dhe nën presion nga tregjet financiar për të vepruar shpejt ose ndryshe për zgjidhjen e krizës së borxhit publik, drejtuesve të zonës euro do t'u duhet të tregohen të bashkuar këtë javë, ndërkohë që pasiguri të ndryshme dhe fjalimet kontradiktore kanë rritur ndjeshëm vlerat e euros ndaj dollarit.
Në një deklaratë të përbashkët dje, në përfundim të një takimi në Uashington, vendet e zonës euro u angazhuan para shteteve anëtare të FMN-së të bëjnë gjithçka që duhet për të siguruar stabilitetin financiar të kësaj zone në tërësinë e saj.
"Kjo përfshin zbatimin e vendimit të 21 korrikut për të rritur fleksibilitetin e Fondit Europian të Stabilitetit Financiar, maksimizimin e forcës së tij të veprimit dhe përmirësimin e administrimit të krizës dhe qeverisjes në zonën euro", shton deklarata e përbashkët.
Krerët e shteteve dhe të qeverive arritën në korrik një marrëveshje për të ndihmuar më tepër Greqinë dhe për shtrirjen e fushës së ndërhyrjes së FESF, kryesisht duke e pajisur me një instrument që do t'i mundësojë blerjen në treg të borxhit të shteteve në vështirësi.
Kjo marrëveshje është në proces ratifikimi nga 17 parlamentet kombëtare të zonës, një proces që pritet të përfundojë në mes të tetorit. Votimi i pritshëm i deputetëve gjermanë, vendi i të cilëve është kontribuesi më i madh në planet për ndihmat europiane, është parashikuar për të enjten.
Sipas të gjitha gjasave projektligji do të miratohet me shumicë në Bundestag, meqënëse edhe opozita është shprehur se do të votojë pro, por në mesin e shumicës parlamentare (konservatorë dhe liberalë) të kancelares Angela Merkel, ka shumë deputetë që kritikojë këtë reformë të FESF, duke u bazuar në rezervat e opinionit publik gjerman për të paguar për nxënësit e këqinj të zonës euro.
Megjithatë, në Uashington, ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schaüble, u shpreh i hapur që Fondi i Shpëtimit Financiar i zonës euro të hyjë në fuqi më shpejt se parashikimi, para mesit të vitit 2013.
"Sa më shpejt aq më mirë", pohoi ai, duke u shprehur për një zgjidhje permanente, sa më shpejt të jetë e mundur.
Para votës në Bundestag, kryeministri grek, Jorgos Papandreu, do të takohet me kancelaren gjermane, Angela Merkel, në një darkë pune të martën në Berlin.
Ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos, i prezantoi FMN-së masat e reja ekonomike që kanë për qëllim të garantojnë kreditorët për zhbllokimin e këstit të gjashtë.
Për t'u siguruar për rikthimin në Athinë të ekspertëve të trojkës për të përfunduar auditin, qeveria greke ka vendosur një reformë tepër të diskutuar mbi taksat imobiliare, ulje sërish të pensioneve të pleqërisë dhe largim të përkohshëm nga puna për 30.000 funksionarë.
"Duke zhvilluar një sërë mbledhjesh, ne po bëjmë përpjekje për të stabilizuar situatën", premtoi Venizelos pas një takimi me homologun gjerman.
Greva të tjera janë parashikuar në Greqi javën e ardhshme para një greve të përgjithshme më 19 tetor.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›