Javën e fundit, leku humbet terren kundrejt euros
Leku ka humbur terren javën e fundit në raport me monedhën e përbashkët europiane. Pas disa javëve në të cilat monedha vendase u forcua në kursin e këmbimit me euron, duke shkuar deri në kufirin e poshtëm të 128 lekëve, pas zgjedhjeve parlamentare tendenca në tregun tonë valuator ka ndryshuar në favor të monedhës europiane, e cila po i rikthehet nivelit të 130 lekëve. Agjencite e këmbimit valutor në kryeqytet, thonë se këtu ka ndikuar edhe largimi i një pjese të mirë të emigrantëve pasi votuan në 28 qershor. Prej fillimit të vitit, leku është nënçmuar kundrejt euros, teksa ka shkuar nga niveli i 123,5 lekëve në janar në rreth 133 lekë në fund të muajit maj. Megjithatë, luhatjen e ditëve të fundit, sipas specialistëve të ekonomisë, pritshmëria për rritjen e flukseve turistike gjatë 2 muajve në vijim, mendohet të forcojnë më tej lekun në raport me euron.