E Diel, 1 Nëntor 2026

Javën që vjen Partizani merr përgjigjen nga federata

Nga ILIR CARA

Mësohet se nuk do të vazhdojë në pafundësi zvarritja për të mësuar fatet e skuadrës për sezonin e ri, gjë të cilën do ta përcaktojë FSHF

Partizani i sezonit të ri më shumë po ecën në kuadrin e fjalëve, kjo për vetë problematikën që u prodhua pas vendimit të Gjykatës së Apelit me 27 qershor. Ndonëse për momentin një grup lojtarësh përgatiten, pritet një vendim i FSHF-së për të mësuar fatin e Partizanit.

Edhe për sa i përket organit ligjvënës së qeverisë së futbollit ka një dyzim, pasi nga njëra anë flitet për përjashtim nëse nuk gjendet një administrator i saktë, si dhe nga ana tjetër kemi edhe një premtim të presidentit të FSHF-së për të bërë më të mirën për Partizanin.

Aksionari i të kuqve, që zotëron 40% të aksioneve në shoqëri, Paro Laçi ka depozituar në federatë një kërkesë ku kërkon për njohjen e ekipit që ai ka nisur të ndërtojë, sigurisht në bashkëpunim me ministrinë. Por nga burime të ndryshme mësohet se edhe aksionari me 60%, Albert Xhani është në kërkim të një Partizani, që do të funksionojë nën urdhërat e tij.

Por së fundi ka dalë edhe një opsion tjetër, ku tifozët kërkojnë që Partizani të jetë i tyre, pasi nëse aksionarët dhe ministria nuk janë të zotë për ti dhënë drejtim situatës, ata janë të aftë për të afruar donatorë për rimëkëmbjen e legjendës. Nga burime pranë  federatës, mësohet se javën që vjen Partizanit do ti jepet një përgjigje, nga e cila varet e ardhmja  e të kuqve të kryeqytetit.

Edhe në se nuk mblidhet KE, pritet që me një vendim qarkullues të jepet një vendim për Partizanin e sezonit të ri. Ajo që pritet është se nuk do të shkohet në ekstrem, sepse do të gjendet një rrugëzgjidhje që Partizani të vijojë misionin në Kategorinë e Parë.

Përgatitjet me top Përgjigjia e federatës në lidhje me Partizanin var edhe fatet e përgatitjes së ekipit. Prej ditësh të kuqtë janë mjaftuar vetëm me përgatitje atletike nga Kodrat e Liqenit. U fol për një zhvendosje të stërvitjeve në ish-kompleksin Dinamo, ku pritet të nisin përgatitjet me top.

Por edhe kjo gjë varet nga fjala që do të japë FSHF për të kuqtë, pasi drejtuesit e Agjencisë së Sporteve, që administrojnë ambientet e ish-kompleksit blu, nuk mund të lidhin kontratë, pa ditur se kush është i pari i Partizanit.

Prej ditësh flitet për një merkato që po zhvillon Partizani, por futbollistët e kontaktuar janë ende në letër, pasi thuhet se ata do të afrohen në momentin që ekipi do të nisë përgatitjet me top.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›