Je i pushuar!

Mijëra shqiptarë në protestën e pasdites së djeshme në Tiranë. Akuza e heshtur: Nëpunës Berisha, në emër të popullit je i pushuar nga puna
Në Shqipëri nuk ka sondazhe që të tregojnë periodikisht popullaritetin e politikës, por dje në mbrëmje bulevardi Dëshmorët e Kombit indeksoi më dukshëm se kurrë opinionin e përgjithshëm qytetar rreth qeverisë në pushtet pas tragjedisë së rëndë të Gërdecit dhe një skandali ndërkombëtar trafiku armësh për të cilin ajo fajësohet tashmë haptaz. Qendra e Tiranës kurrë ndonjëherë s’ka qenë më e heshtur se dje në mbrëmje. Gjithë zemërimi dhe revolta e akumuluar për një javë rresht nga shumë qytetarë, u shpërfaq dje në një mënyrë të paprecedenttë për Shqipërinë gjatë protestave të thirrura nga politika. Mijëra shqiptarë, braktisën punët e zakonshme, familjet dhe çdo aktivitet tjetër dje në mbrëmje dhe marshuan gojëkyçur por kokëlart në bulevardin më të madh të vendit, atë “Dëshmorët e Kombit”, i cili ka qenë shpesh arenë përleshjesh në raste analoge të historisë sonë së re. Një atmosferë e papërshkrueshme. Revoltë, por edhe heshtje. Edi Rama që i shtrëngon dorën Ilir Metës. Një solidaritet i harruar prej kohësh. Opozita e majtë, duhet të ketë konstatuar dje se radhët e saj janë shtuar në mënyrë impresive me qytetarë të zemëruar teksa besimi tek qeveria konservatore në pushtet ka rënë ndjeshëm. Së bashku me krerët e partive të majta, qytetarët mbushën dje bulevardin ndërsa e përshkruan atë më këmbë. Asnjë flamur, asnjë thirrje, asnjë fjalim. Organizimi dukej se ishte perfekt për të rrëzuar pretendimet e mazhorancës se opozita po mundohet të majmet duke shfrytëzuar zemëratën qytetare. Disa thirrje të veçuara nga masa, si dhe parrulla të pashmangshme për një masë prej mijëra vetësh, ngritën krye për pak momente por u shuan sakaq nga vetë organizatorët. Protesta nisi ashtu siç ishte paralajmëruar diku rreth orës 17:30 nga sheshi “Skënderbej”. Ndonëse qytetarët filluan të mbërrinin në herët, pritën drejtuesit e partive të majta e më pas filloi ecja në heshtje. Ashtu së bashku, si asnjëherë tjetër, pa thënë gjysëm fjale, pa parulla, të gjithë së bashku përshkruan gjithë bulevardin deri tek sheshi “Nënë tereza”, nga ku u rikthyen sërish për t’u rishpërndarë. Pikërisht tek godina e kryeministrisë, ku është zyra e Sali Berishës, fajtori kryesor i tragjedisë sipas të majtëve, në formë proteste, kryetarët e partive e më pas të gjithë të pranishmit ndezën, qirinj në nderim të atyre që ndërruan jetë si pasojë e shpërthimit në Gërdec. “Nëpunës Berisha, në emër të popullit je i pushuar nga puna”. Kjë parrullë ku përmblidhej ndoshta në mënyrën më të saktë edhe ideja e protestës, u shfaq përpara hyrjes së kryeministrisë si një akuzë e pakundërshtueshme. Më tej turma iu drejtua sheshit “Nënë Tereza” dhe në kthim bulevardi filloi t’i kthehej normalitetit të përditshëm, ndërsa qirinjtë tek kryeministria vazhdonin të qëndronin të ndezur, duke vazhduar misionin e shprehjes së pakënaqësisë. Sërish të bashkuar Bashkimi i djeshëm u riktheu dje buzëqeshjen dhe besimin të pranishmëve në protestë, që përshëndetën shtrëngimin e duarve mes drejtuesve të së majtës. Krerët e partive të tjera të majta, të pakënaqur me qëndrimin e socialistëve iu bashkëngjitën dje thirrjes së kryesocialistit Edi Rama duke protestuar tok megjithëse erdhën të ndarë drejt sheshit “Skënderbej”. Ilir Meta bashkë me Neritan Cekën dhe Paskal Milon, mbëritën pak minuta më herët, ndërsa pritën që edhe kryesocialsiti Edi Rama, të mbërrinte teksa ishte në selinë e PS-së së bashku me Skënder Gjinushin e PSD-së dhe deputetë të tjerë. Edi Rama hodhi hapin e parë duke u zgjatur dorën ish-aleatëve të PS-së. I menjëhershëm ishte reagimi qytetarëve që ndodheshin aty afër mes tyre dhe nga ata që qëndronin në majë të gishtave për të vëzhguar. “Bravo”, “Bashkim”, “Ju lumtë” e “Mos u zini”, ishin efektet e shtrëngimit të duarve. Krah Ramës gjatë ecjes në të majtë qëndronte Gramoz Ruçi e pas tij Skënder Gjinushi. Në të djathtë të kryesocialistit ishte aktivistja politike, aktorja Luiza Xhuvani e më tej Ilir Meta, Neritan Ceka dhe Paskal Milo. Që pas ikjes së LSi-së nga koalicioni dje ishte hera e parë që të majtët takoheshin me një mision të përbashkët. Çudia Ndryshe nga sa pritej, LSI-ja, që kishte zhvilluar protestën e saj ditën e enjte, iu bashkëngjit “ecjes në heshtje” të kërkuar nga Partia Socialiste. Paradite kryesocialisti Edi Rama, në një konferencë për shtyp nga selia e PS-së u kërkoi qytetarëve të protestonin më 17.30. Por papritur për të gjithë ata që i kanë ndjekur zhvillimet politike dhe prisnin sipas edhe sinjaleve të dhëna të enjten nga LSI-ja, edhe aleatët e tjerë bënë të njëjtën ftesë. Në një tjetër ambient, në zyrat e LSI-së, Ilir Meta bashkë me Neritan Cekën e PAD-së dhe Paskal Milon e PDS-së ftuan elektoratin e tyre të bashkoheshin për të protestuar në sheshin “Skënderbej”. Mbetet për t’u parë nëse bashkëpunimi i djeshëm do të reflektojë ndryshime edhe në atë politik, ndonëse Ilir Meta saktësoi se qëndrimi i djeshëm për çështjen e Gërdecit dallon nga reforma zgjedhore, e çështje të tjera që ndajnë krerët dhe elektoratin e majtë.