Sdimë gjë, spamë gjë

Tubimi i djeshëm i organizuar nga opozita pretendohet se nuk është ndjekur nga anëtarët e qeverisë dhe deputetët...
Tubimi i djeshëm i organizuar nga opozita pretendohet se nuk është ndjekur nga anëtarët e qeverisë dhe deputetët e Partisë Demokratike sepse “ata ndodheshin nëpër zonat e tyre zgjedhore”, larg Tiranës. Të pyetur nga “Korrieri”, të gjithë përfaqësuesit demokratë flisnin për vendndodhje në pika të ndryshme gjeografike të Shqipërisë, me përjashtim të Tiranës. Ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha u shpreh se nuk e ka ndjekur tubimin pasi gjatë kohës në të cilën zhvillohej ai kishte qenë në një familje tek zona e tij elektorale dhe nuk e ka parë atë, kështu që nuk ka pranuar as ta komentojë atë. Të njëjtin motiv kanë përdorur edhe deputetët të tjerë të njohur të mazhorancës, duke mos e komentuar tubimin, dhe duke përdorur si motiv mosqënien e tyre në Tiranë, por në zonën elektorale. Nga ana tjetër, as drejtori i Informacionit në kryeministri, Grid Rroji nuk ka pranuar në asnjë mënyrë që ta komentojë tubimin e pasdites së djeshme. I vetmi deputet i Partisë Demokratike që ka pranuar ta komentojë ka qenë deputeti Pal Dajçi, i cili edhe pse thotë se nuk e ka ndjekur protestën, e ka cilësuar atë si lëvizje politike të kreut të opozitës, Edi Rama. “Opozita edhe pse është e ndarë, është bashkuar në këtë moment vetëm për qëllime politike. Ajo lëvizje është e qartë politike dhe ka të njëjtin motiv, atë që është kërkuar edhe në parlament” ka deklaruar Dajçi. Ndërkohë, tubimi i djeshëm ishte një tubim paqësor i organizuar nga opozita, dhe synonte sensibilizimin e popullsisë për ngjarjen tragjike të ndodhur disa ditë më parë në Gërdec. Për këtë ngjarje, opozita ka cilësuar si fajtorë kreun e qeverisë dhe ministrin e Mbrojtjes, të cilëve u ka kërkuar që të dorëzojnë imunitetin.